Mjekët e familjes, të mangët me njohuri
Mjekët, infermierët, akademikët, por edhe farmacistët, sfera e punonjësve që punojnë në shëndetësi, duhet të vazhdojnë edukimin në kohë, për të mbajtur vendin e punës, por për të plotësuar edhe standardet bashkëkohore, si të gjithë homologët e tyre perëndimorë. Për t’u ricertifikuar si profesionist ata duhet të përmbushin disa rregulla dhe të përftojnë kreditet e kërkuara nga legjislacioni në fuqi. Në të kundërt, do të jetë e vështirë për të mbajtur vendin e punës apo për të konkurruar me pjesën tjetër të kolegëve. Ndërsa procesi i edukimit në vazhdimësi për mjekët ka nisur, dje në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë, ministri i fushës, Petrit Vasili, ka raportuar lidhur me të dhënat e deritanishme. Sipas tij, kërkesat për kualifikim janë të shumta, por më të nevojshme nga të gjithë për edukim dhe formim të vazhdueshëm kanë sidomos mjekët e familjes dhe infermierët. Sipas rrjetit të informacionit, deri tani kjo kategori rezulton me njohuri të mangëta, si dhe një pjesë e mirë e infermierëve të paarsimuar në nivel universitar.
Komisioni dhe referimet“Lidhur me mjekët e familjes, formimi i tyre bazë është i mangët, nga 1600 mjekë që punojnë si mjekë familje, vetëm 100 prej tyre kanë kryer specializimin në mjekësinë e familjes; pjesa tjetër janë thjesht mjekë të përgjithshëm. Ashtu si mjekët e familjes dhe infermierët konsiderohen një kategori me nevoja të mëdha për edukim të vazhdueshëm, për arsye se formimi bazë i tyre nuk është i standardizuar”, thuhet në relacionin e Komisionit të Shëndetësisë, për referimet e kryera dje nga krerët e këtij sektori. Sipas këtij dokumenti, shumica e infermierëve nuk kanë formim universitar dhe kanë një formim bazë të pamjaftueshëm.
Së treti, nga pikëpamja numerike ata përfaqësojnë kategorinë më të madhe të mjekëve.
Programi i ricertifikimit do të organizohet në cikle 5-vjeçare. Cikli i parë filloi më 1 janar 2010 dhe përfundon më 31 dhjetor 2014. Në këtë cikël të programit të ricertifikimit, profesionistët e përfshirë në të duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 150 kredite në 5 vjet përmes ndjekjes së aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm si konferenca, trajnime, punë kërkimore shkencore, lexim individual literature mjekësore. Në ciklet pesëvjeçare që vijojnë, numri i krediteve të detyrueshme për t’u mbledhur do të jetë 250.
Mungesa në informacion vihen re kryesisht nga profesionistët e punësuar në sektorin privat. Që nga 1 janari 2010, Qendra e Edukimit në Vazhdimësi ka filluar akreditimin e aktiviteteve të edukimit për kategori të ndryshme profesionistësh të shëndetësisë. Pranë QKEV janë paraqitur 105 aplikime për akreditim të aktiviteteve të ndryshme që u drejtohen profesionistëve të shëndetësisë, si konferenca, seminare, trajnime. Aktivitet e regjistruara deri tani kanë qenë të ofruara kryesisht nga shoqatat e profesionistëve dhe organizatat e ndryshme jofitimprurëse që operojnë në këtë fushë, dhe më pak nga institucionet publike shëndetësore dhe akademike.
#