Berisha rikthehet më i fortë

Etrit Berisha po punon intensivisht që të rikthehet më i fortë, pas lëndimeve të njëpasnjëshme. Portieri kosovar qëndroi disa ditë në Kroaci për një rehabilitim, pas dhimbjeve që ndiente në këmbë.
22 vjeçari i është kthyer stërvitjeve me Kalmarin në përgatitjet që po zhvillohen në Qipro, por ai ende nuk është 100 për qind gati. Për këtë, përfaqësuesi kosovar nuk mund ta ndihmojë të mërkurën ekipin e tij në duel me ekipin nga liga e parë ruse, FC SKA-Energiya Khabarovsk.
“Kam bërë dy stërvitje me Kalmarin dhe ndihem më i fortë. Mirëpo, nuk besoj se do të luaj ndaj ekipit rus”, u shpreh Berisha për mediet suedeze.
“Gjërat po shkojnë mirë e më mirë. Kam paksa dhimbje, por besoj se do të më kalojë shumë shpejt për të qenë gati për fillimin e sezonit. Jam koncentruar në ushtrime, të cilat po shkojnë mjaft mirë”, vazhdoi Berisha.