E Diel, 1 Nëntor 2026

Odensen blindon Kadrin

Bashkim Kadri e ka vazhduar kontratën me Odensen edhe për një vit. Kjo do të thotë se palët do të bashkëpunojnë deri në qershor të vitit 2015. Talenti shqiptar ishte transferuar te klubi i elitës së futbollit danez në verën e vitit 2010 nga ekipi B93.

Ai e shfaqi talentin e tij dhe u bë pjesë e rëndësishme e ekipit të parë të Odenses. Si rezultat i kësaj, ai u ftua në ekipin e parë të Kombëtares së Danimarkës. Morten Olsen e kishte ftuar atë kundër Skocisë më 10 gusht të vitit që shkoi.

“Bashkim Kadri e ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm në Odense. Është një lojtar tek i cili llogarisim shumë, kështu që jam shumë i kënaqur që e kemi vazhduar kontratën. Në periudhën sa ishte në Odense, ai ka luajtur me ekipin U-21 të Danimarkës dhe ka debutuar me ekipin A. Është njëri prej lojtarëve të së ardhmes. Ai mund të luajë në pozita të ndryshme dhe mund të driblojë mjaft mirë. Është lojtar modern”, ka thënë drejtori sportiv i Odenses, Poul Hansen, për ueb faqen zyrtare të klubit.

Edhe vetë 20 vjeçari ndihet i lumtur që e vazhdoi kontratën me ekipin danez. “Jam shumë i lumtur që jam këtu. Në Odense jam zhvilluar shumë, që kur kam ardhur këtu. Dëshiroj të vazhdoj të përmirësohem, kështu që jam i lumtur që e vazhduam kontratën për një vit. Kam besim të madh në këtë klub dhe në trajnerin, i cili ma shton dëshirën që të qëndroj këtu”, u shpreh Kadri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›