Fushat, të gatshme për lojë

Në fakt, sezoni pranveror ishte paraparë të niste më 3 mars, por me kërkesë të klubeve, fillimi i tij u shty për një javë, pasi fushat e stadiumeve të tyre ishin të mbuluara përplot me borë.
Mirëpo, gjatë ditëve të kaluara, krerët e klubeve i kanë përgatitur fushat e stadiumeve të tyre për t’u përballuar ndeshjeve kampionale. Madje, edhe stadiumet që ishin në gjendje më të rëndë, si ai ‘Përparim Thaçi’ në Prizren, janë të gatshme për t’u përballuar ndeshjeve të Superligës.
“Të gjitha fushat e stadiumeve tani janë të terura, pas asaj lagështie të madhe që e kishin pësuar nga rënia e borës. Kështu që të gjitha fushat janë të gatshme, madje qysh sot mund të zhvillohen ndeshje në to”, ka deklaruar për Express kryetari i Komisioni për inspektimin e objekteve sportive pranë Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Maloku.
Garat e sezonit pranveror të Superligës pritet të jenë interesante si asnjëherë më parë, për faktin se sivjet shumë skuadra e synojnë titullin e kampionit, derisa shumë të tjera objektiv e kanë mbetjen në elitën e futbollit kosovar.