E Shtunë, 31 Tetor 2026

Januzi, në histori të Vorsklës

Ahmed Januzi ka hyrë në histori të Vorskla Poltavës. Me golin e shënuar në fundjavë ndaj Kryvbasit, sulmuesi kosovar u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve në klubin ukrainas. 23 vjeçari arriti në kuotën e 20 golave, duke e kaluar rekordin e deritashëm të dyshes Markoski e Chuichenko. Përfaqësuesi shqiptar ndihet i lumtur për këtë arritje, derisa premton se nuk do të ndalet me kaq.

Ahmed Januzi e ka shkruar emrin e tij në historinë e Vorsklas. Sulmuesi kosovar është bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve në ekipin ukrainas. Vushtrriasi e gjeti golin e 20-të në fitoren 2:1 ndaj Kryvbas Krivoy Rog, në kuadër të xhiros së 21-të në kampionatin ukrainas.

Ish futbollisti i Kosovës së Vushtrrisë shënoi në minutën e 80-të, në paraqitjen e tij të 117-të në kampionatin ukrainas. Ai ndihet mirë që e theu rekordin e golashënuesit më të mirë në histori të Vorskla Poltavës, të cilin deri tash e mbanin dy futbollistë: serbi Jovan Markoski dhe veterani i futbollit ukrainas Sergei Chuichenko, që kishin shënuar nga 19 gola.

“Është ndjenjë mjaft e mirë që e theva rekordin. Kur kam ardhur në Vorskla, nuk kam luajtur në vazhdimësi. Ndërsa, në dy vjetët e fundit po luaj rregullisht, kështu që edhe golat po arrijnë”, deklaroi fillimisht Januzi për Express.

Ai nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq. Vetëm shpreson të mos ketë lëndime, siç pati vitin e kaluar, kur e kishte lënduar dorën dhe e thyer hundën.

- “Ky është vetëm fillimi. Unë e kam të ardhmen përpara dhe mund të shënoj gola të tjerë, vetëm se nevojitet punë dhe angazhim. Shpresoj të mos lëndohem. Ky mund të jetë problemi kryesor që do të mund të më ndalte. Normalisht, krahas golave, shpresoj të fitojmë sa më shumë ndeshje me Vorsklan”, thotë vushtrriasi.

Nëse e shikojmë përqindjen, atëherë del se Januzi ka një mesatare prej 0,17 golash për ndeshje, por e cila i mjaftoi të hyjë në histori të Vorsklas. Përpos Januzit, në Vorskla luan me sukses edhe mbrojtësi i djathtë kosovar, Armend Dallku dhe vëllai i tij i vogël, Ardin Dallku, i cili luan për ekipin e dytë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›