Berisha, rokadë postesh për të kontrolluar KLD dhe Kontrollin e Shtetit
Sali Berisha po përpiqet të përforcojë institucionet me njerëzit e besuar të tij. Kështu, ndryshimet e djeshme në Agjencinë e Kthimit të Pronave, duket se janë më shumë një lloj shpërblimi për njerëzit e afërt të tij në krye të kësaj agjencie. Elvis Çefa, ish Drejtor i Agjencisë, po përgatitet të çohet si kandidat për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, post që ishte mbajtur më parë nga Kreshnik Spahiu. Helga Vukaj, nëndrejtoresh e kësaj agjencie, e cila njihej si lidhje direkt e familjes në këtë Agjenci, është projektuar të shkojë në një nga drejtoritë më të rëndësishme të Kontrollit të Lartë të Shtetit, çfarë me këtë rast mbyll dhe problemet që mund të ketë lënë hapur tek agjencia. Ndërkohë në krye të Agjencisë së Kthimit të Pronave shkon Marsida Xheferllari, e cila ka qenë Drejtoreshë tek Ministria e Drejtësisë, e mbështetur në karrierën e saj nga ish Ministri, Enkelejd Alibeaj.
Ndryshimet duket se synojnë vendosjen e kontrollit mbi KLD dhe Kontrollin e Lart të Shtetit me njerëz të besuar personalisht të Berishës dhe për uljen e profilit të Agjencisë së Kthimit të Pronave, për ta bërë më vulnerable pretendimin e atyre që kërkojnë ende kthimin e pronave.