E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iku Schmitt

Share

The Economist

Ka marrë fund një nga dramat më interesante politike që prej trazirave të vjeshtës 2006 në Hungari. Pal Schmitt, presidenti nën rrethim, ka dhënë dorëheqjen sot pas presionit në rritje. Javën e shkuar, universiteti Semmelweis vendosi ti heqë atij titullin doktor pasi një komision gjeti se ai kishte kopjuar 17 faqe të punimit të tij prej 180 faqesh për doktoraturën e vitit 1992 në lidhje me lojërat olimpike moderne.

Fillimisht zoti Schmitt refuzoi të jepte dorëheqjen, duke thënë se punimi i tij nuk ka lidhje me rolin si president. Por thirrjet që ai të japë dorëheqjen u shtuan edhe nga media e krahut të djathtë dhe nga blog-et konservatore. Katër partitë në opozitë thanë se presidenti duhet të japë dorëheqje, kurse kryeministri Viktor Orban tha se Schmitt duhet të veprojë sipas mendjes së tij.

Në fjalimin e tij përpara parlamentit hungarez, ai tha se nuk e kishte më besimin e popullit.

Por telashet e tij nuk kanë përfunduar. Kampion olimpik në skermë, ai është tashmë anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Mark Adams, një zëdhënës i komitetit, tha se po hetohen dokumentet për plagjiaturë për të parë nëse do ndërmerret ndonjë aksion.

Partinë në pushtet, të djathtën Fidesz, do e marrë malli për Schmitt. Zyra e presidentit, edhe pse ceremoniale, ka për detyrë të mbikëqyrë legjislacionin. Paraardhësit e tij edhe kthenin ndonjëherë ligjet në parlament ose i dërgonin në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

Por Schmitt, një ish- eurodeputet i Fidesz, u bë i njohur për faktin se nuk i hapi asnjë problem qeverisë dhe ligjeve të saj problematike duke fituar nofkën Vula e gomës. Vendin e tij do e zërë kryetari i Kuvendit.

Dorëheqjet janë të rralla në Hungari dhe Schmitt është i pari president që jep dorëheqjen që pas rënies së komunizmit. Për ironi, ai mund të ketë bërë një shërbim të madh duke treguar se edhe në Hungari ka kufij që publiku nuk i toleron të shkelen nga politikanët e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›