Berisha rrit pagat e pensionet 10 ditë para zgjedhjeve

Qeveria e Shqipërisë miratoi në parim rritjen e pagave dhe pensioneve, 10 ditë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të zhvilluar në një orar të pazakontë (rreth orës 21 e 30 minuta), ashtu siç e cilësoi edhe vetë kryeministri, ai tha se rrogat do të rriten deri në 6 për qind dhe se vendimi do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve, teksa nuk kurseu akuzat për rivalin e tij politik, kreun e PS-së Rama, njofton BW.
“Mbledhja e qeverisë në një orë jo fort të zakonshme. Ka disa ligje të pa miratuara, janë plot 44 vendime për t’u miratuar. Sot do të miratojmë në parim rritjen e rrogave dhe pensioneve. Rrogat do të rriten deri në 6 për qind dhe do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve. Ai nuk flet kurrë për rritje rrogash dhe pensionesh, ai flet thjesht që do ulë këtë taksë dhe do rrisë këtë taksë, nga e cila lind vetëm kaosi ekonomik”, tha Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Si njofton Panorama, një tjetër vendim i rëndësishëm ishte edhe dëmshpërblimi financiar për 1 040 të përndjekur politik, në masën 45 milionë dollarë. Kjo, tha kryeministri, është shlyerje tjetër e detyrimeve që ka qeveria shqiptare ndaj të përndjekurve, i cili do të donim të ishte një proces më i shpejtë. Kreu i qeverisë tha se ky proces nuk do të vazhdojë , ndërsa garantoi të përndjekurit politik se brenda afatit të caktuar ligjor qeveria e tij do të shlyejë të gjitha detyrimet.
Këshilli i Ministrave vendosi po ashtu edhe për rimbursimin e TVSH-së me para në dorë për të gjitha makineritë, që fermerët do të blejnë brenda vendit. Ato që importojnë, tha kreu i qeverisë, është bërë, ndaj me këtë vendim ne plotësojmë premtimin si qeveri, ashtu siç kemi rënë dakord pas një diskutimi të gjerë me fermerët./Indeksonline/