E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha se zhbllokon interkonjeksionin, projekti drejt dështimit

Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit vazhdon të zvarritet edhe më tej, pasi palët në këtë projekt nuk kanë ndryshuar në qëndrimet e tyre. Qeveria e Shqipërisë do kompaninë boshnjake Energoinvest për realizimin e projektit. Ndërkaq, banka gjermane KfW, si financuese e projektit, do kompaninë kroate Dalekovod

Nga Enis Veliu

Zëri

Projekti për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Kosovë Shqipëri, edhe më tej vazhdon të zvarritet nga qeveria e Shqipërisë, pavarësisht se pasojat ekonomike për të dyja shtetet vazhdojnë të jenë të mëdha.

Bllokimi për më se dy vjet i këtij projekti, edhe më tutje vazhdon tu krijojë të ardhura marramendëse kompanive serbe të importit të energjisë. Ndërkaq, Kosovës dhe Shqipërisë u krijon dhjetëra miliona euro humbje, pasi ndërtimi i kësaj linje do tu sillte këtyre dy shteteve pavarësinë nga linjat serbe.

Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit vazhdon të zvarritet edhe më tej pasi palët në këtë projekt nuk kanë ndryshuar në qëndrimet e tyre. Qeveria e Shqipërisë për realizimin e projektit do kompaninë boshnjake Energoinvest. Ndërkaq banka gjermane KfW, si financuese e projektit, do kompaninë kroate Dalekovod.

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha nuk e zhbllokon këtë projekt, pavarësisht se një bllokadë e tillë prej rreth dy vitesh mund ta çojë projektin në ritenderim apo edhe ta vërë në dyshim edhe financimin e tij nga banka gjermane KfW.

Burime të gazetës Zëri thonë se linjën e interkonjeksionit e pret ritenderimi, apo edhe dështimi i plotë, që nënkupton tërheqjen e bankës gjermane KfW nga financimi i projektit.

Sipas këtij burimi, gjermanët janë të shprehur qartë se asnjë mënyrë projektin nuk do ta realizojë kompania e dytë e radhitur sipas pikëve, përkatësisht Energoinvest nga Bosnjë-Hercegovina.

Palët janë pajtuar me financuesin, në këtë rast me bankën gjermane se projektin do ta realizojë kompania që ka fituar më së shumti pikë në vlerësim, përkatësisht kompania Dalekovod nga Kroacia, pohon ky burim i gazetës.

Ai shton se kompania boshnjake nuk mund ta realizojë në asnjë mënyrë këtë projekt. Ndërkaq, nëse projekti do të ritenderohet, atëherë, sipas burimit të Zërit, banka gjermane do të jetë shumë më rigoroze me palët, pasi ato nuk i janë përmbajtur marrëveshjes së parë të nënshkruar, duke e kthyer në fazën fillestare të gjithë projektin.

Por, në anën tjetër, zyrtare të OST-së në Shqipëri thonë se kah vjeshta e këtij viti Qeveria e Shqipërisë planifikon ta nënshkruajë kontratën me kompaninë e cila do ti kryejë punët në terren, por vetëm për lotin 2. Veledin Nanaj nga OST-ja tha se projekti i ndërtimit të linjës 400 kilovolt së interkonjeksionit Shqipëri- Kosova përfshin dy lote.

Sipas tij, në lotin e parë përfshihet linja 400 kilovolt nga nën stacioni Tirana 2 deri te nënstacioni Kosova B në Kosovë.

Ndërkaq, loti dy sipas tij përfshin daljet respektive 400 kilovolt për lidhjen e linjës në të dy nënstacionet për të dy sistemet elektroenergjitike të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Për LOT 2 është bere vlerësimi nga të dyja palët, është marrë miratimi i këtij vlerësimi nga Banka KfW dhe së shpejti do të fillojnë negociatat për lidhjen e kontratës, e cila parashikohet të kryhet në vjeshtën e këtij viti. Menjëherë pas nënshkrimit te kontratës do të fillojnë punimet për këtë lot, tha ai për gazetën Zëri.

Ndërkaq sa i përket lotit 1, ai tha se OST-ja ka ngritur shqetësimin ne lidhje me çmimet e ofruara për ketë lot.

Nanaj tha se aktualisht jemi duke bashkëpunuar ngushte me palën kosovare dhe bankën KfW për ecurinë e mëtejshme të procesit.

Javë më parë gazeta Zëri ka shkruar se bllokimi i ndërtimit të linjës 400 kilovolt i ka siguruar shtetit të Serbisë monopol në importin e energjisë në Kosovë, pasi për momentin, Kosova të vetmen rrugë për importimin e energjisë ka fqinjin verior.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›