Censusi, Majko: Qeveria shqiptare ka qenë nën presion
“Qeveria shqiptare ka vepruar në mënyrë unilaterale dhe pa asnjë lloj dialogu dhe duke kaluar edhe në fyerje lidhur me njerëzit që kanë shprehur shqetësim lidhur me çështjen e regjistrimit”
Ish-kryeministri dhe njëkohësisht deputet i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, vlerëson se qeveria shqiptare ka qenë nën presion për vendimmarrjen që ka të bëjë me atë çka po njihet si “census”. Majko konstaton se tanimë nga pikëpamja ligjore çështja e regjistrimit të popullsisë është mbyllur dhe se është votuar në Parlament ligji e më pas dekretuar nga Presidenti i Republikës. “Ky nuk është projekti i Genc Pollos (ministri i Inovacionit i ngarkuar me regjistrimin), por është projekt i qeverisë së zotit (Sali) Berisha. Vetë mënyra sesi kjo u komentua nga zoti Berisha, mendoj se bën edhe më të qartë se kemi të bëjmë me një akt unilateral (të njëanshëm) nga qeverisja e ashtuquajtur “e djathtë” e drejtuar nga Kryeministri aktual”, nënvizoi Majko në një intervistë për “RadioKosova”. Sipas tij, kjo histori nuk është thjesht histori regjistrimi, apo histori teknike. Majko mendon se një nismë e tillë do të kërkonte një dialog më të gjerë midis klasës politike dhe, pse jo, me të gjithë shoqërinë shqiptare. Por, shton ai, mesa duket, për arsye të caktuara të interesave politike të kryeministrit Berisha, kjo kaloi në mënyrë unilaterale dhe pa asnjë lloj dialogu. “Sigurisht, që çështja e regjistrimit do të kërkonte respektimin e një modeli, të një standardi. Por, duket se në këtë rast (ky është opinioni im), qeveria shqiptare ka qenë nën presion për këtë vendimmarrje që ka të bëjë me të ashtuquajturin “census”. Unë shpresoj që vetëdija kombëtare e shqiptarëve dhe e shoqërisë shqiptare, në këto momente që po kalon vendi dhe në përgjithësi rajoni, të jetë e një natyre të tillë që i gjithë ky proces të përmbyllet me sukses”, thotë Majko. Ai këmbëngul se gjithsesi nuk duhen parë gjërat me një natyrë të interesit të kësaj feje apo të asaj feje. “Nuk besoj se regjistrimi i popullsisë bëhet në favor të një feje kundër një feje tjetër. Ajo që unë nënvizova është se nuk kemi të bëjmë me një qeveri që ka kaluar një projektligj për t’i bërë qejfin një feje apo interesave të një radikalizmi në rajon. Në një kontekst të caktuar, është e qartë që për arsye të natyrave shpesh të çuditshme, në Shqipëri ka më shumë se 2-3 shtete që kërkojnë me insistim të kenë minoritete, që më pas t’i përdorin si mekanizma le t’i quajmë kështu edhe si presioni, për situatat e brendshme të Shqipërisë”, u shpreh Majko. Por, vijoi ai, kjo mund të konsiderohet thjesht një përrallë që nuk do të funksionojë, për mënyrën sesi shqiptarët dhe shoqëria shqiptare i ka akumuluar dhe balancuar tensionet e brendshme dhe ka prodhuar marrëdhënie lidhur me minoritetet në Shqipëri. Majko pohon se ajo që e ka shqetësuar në vazhdimësi është se qeveria shqiptare ka vepruar në mënyrë unilaterale dhe pa asnjë lloj dialogu dhe duke kaluar edhe në fyerje lidhur me njerëzit që kanë shprehur shqetësim lidhur me çështjen e regjistrimit. “Unë jam i bindur, që për shumë arsye, kultura fetare në Shqipëri qëndron mbi kulturën politike dhe kjo është ajo që më jep shpresë, që për fat të mirë në shoqërinë shqiptare ka valvula që nuk do të lejojnë që histori të natyrave të tilla të kthehen në konflikte apo në probleme për vetë shoqërinë shqiptare”, beson Majko. Në intervistën për “RadioKosova”, ish-kryeministri Majko thotë se çështja e ndarjes së Kosovës nuk mund të jetë pjesë e vullnetit të një politikani apo të një grupi politikanësh, qofshin këta shqiptarë, apo serbë. “Çështja e kufijve në Ballkan është akt i mbyllur. Çdo rihapje e këtij kapitulli, është vlerësuar edhe nga analistë të tjerë apo kancelaritë e ndryshme perëndimore, do të krijonte një sistem domino, e cila, në fund të fundit, do të vihej në funksion të strategjisë së Serbisë”, shprehet Majko.