E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha shkarkon Besnik Mahon, drejtorin e Pronave: “Ka bërë shkelje”

Kryeministri shkarkon papritur një nga drejtorët kryesorë të administratës. Në urdhrin e shkarkimit 5 arsye, pasuesi do të jetë Tunxh Prel

Erald Kapri

Ndonëse rastësisht, por kryeministri Sali Berisha ka shkarkuar nga detyra një nga drejtorët e tij kryesorë të administratës, kreun e Agjencisë së Pronave, Besnik Maho, në të njëjtën ditë kur opozita denoncoi një aferë me pronat në Jug të vendit. Shkarkimi i drejtorit vjen në një moment tepër të rëndësishëm të procesit për njohjen e pronave kur ky shkarkim nuk pritej. Në vendimin e qeverisë, të firmosur nga kryeministri Berisha, jepen 5 arsye për shkarkimin e Mahos. Mbi të gjitha, elementi kryesor i shkarkimit ka qenë mostransparenca dhe paaftësia e drejtorit Maho. Drejtori Besnik Maho është vlerësuar më shumë se paraardhësit e tij në këtë detyrë, por kryeministri Berisha ka vlerësuar të kundërtën. Burime pranë Agjencisë së Pronave shprehen se ish-drejtori Maho kishte dy javë që kishte paraqitur dorëheqjen e tij te ministri i Drejtësisë, Alibeaj, por që u vendos të mos bëhej publike. Kryeministri ka firmosur edhe pasardhësin e Besnik Mahos, i cili do të jetë Tunxh Prel Vatnikaj. Në vendimin e emërimit të Vatnikajt nuk gjendet një CV e tij apo rekomandimet për zgjedhjen në fjalë.
Arsyet
Kryeministri Sali Berisha, në bazë të kompetencave që i jep atij ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe të ligjit për funksionimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ka vendosur që të shkarkojë Besnik Mahon, i cili ishte drejtori i dytë në këtë detyrë që nga krijimi i Agjencisë. Përpara tij në detyrë ishte Justina Boriçi, e cila u shkarkua për të njëjtën arsye. Në urdhrin e kryeministrit thuhet se nga kontrollet e bëra në AKKP nga Ministria e Drejtësisë janë evidentuar shkelje ligjore dhe nënligjore në lidhje me punën e Agjencisë, të cilat kanë si përgjegjës direkt ish-drejtorin Maho. Në mënyrë të përmbledhur, urdhri ka përcaktuar 5 arsye kryesore për shkarkimin e drejtorit të AKKP-së. Arsyeja e parë thotë se në AKKP ka pasur zvarritje të procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave nëpërmjet prishjes pa të drejtë të vendimeve të zyrave rajonale të AKKP-së, duke i kthyer për rishqyrtimin pranë tyre. Arsyeja e dytë thotë se në AKKP ka pasur zvarritje të procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave dhe shkelje të të drejtave të të interesuarve nëpërmjet mungesës së përgjigjeve në rreth 270 kërkesave drejtuar AKKP-së. Arsyeja e tretë thotë se ka pasur një mungesë të transparencës së procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave nëpërmjet shkeljes së rregullave për mbajtjen e akteve që shërbejnë për marrjen e vendimeve të AKKP-së. Arsyeja e katërt thotë se ka pasur një shkelje të urdhrit të kryeministrit nëpërmjet marrjes në mënyrë të pjesshme të rekomandimeve të DKBAA-së të Këshillit të Ministrave, vetëm 5 nga 12 rekomandime. Arsyeja e pestë thotë se ka pasur pengesa të efektivitetit të strukturave të AKKP-së nëpërmjet mungesës së komunikimit normal me strukturat e brendshme, nëpërmjet lëvizjes së personelit pa shkaqe të justifikuara në dëm të institucionit.
Pasuesi
Kryeministri Sali Berisha ka vënë “dorën në zjarr” për drejtorin e ri të emëruar, Tunxh Prel Vatnikaj, ndonëse të njëjtën gjë ka bërë kur emëroi në këtë detyrë Besnik Mahon. Në vendim thuhet se me propozimin e kandidaturës së Tunxh Prel Vatnikajt, kryeministri mban në konsideratë të dhënat personale në drejtim të arsimit, të eksperiencës në punë e në drejtim të integrimit të lartë moral, të cilat shërbejnë, sipas kryeministrit, si premisa garantuese për kryerjen në mënyrë të suksesshme të kësaj detyre. Pritet që ish-drejtori Maho të lirojë zyrën e tij gjatë ditës së sotme, pasi vendimi i qeverisë hyn në fuqi menjëherë.

22 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›