E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: ”Më 1 korrik do të rriten pagat, pensionet dhe ndihma ekonomike”



Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se më 1 korrik do të rriten pagat, pensionet dhe ndihma ekonomike e shtresave në nevojë, në qytet dhe në fshat, në përputhje të plotë me rritjen e çmimeve. “Pensionistët, shtresat në nevojë ekonomike dhe buxhetorët, kudo ku janë, në qytet dhe në fshat, do të kompensohen një për një për rritjen e çmimeve. Ju siguroj se më 1 korrik, pagat dhe pensionet do të rriten dhe rritja do të jetë e tëra në përputhje me rritjen e çmimeve që prekin pagën e tyre. Shpresoj të përcillni këtë mesazh të qartë e zotim solemn të kryeministrit dhe qeverisë se do të kompensohen çmimet e rritura. Ky është vendim i prerë”, - tha Berisha. Kryeministri më tej ka lëshuar kritika mbi media të caktuara, të cilat sipas tij kanë keqinformuar publikun. “Shfrytëzoj rastin për t’i garantuar pensionistët, qytetarët në ndihmë ekonomike dhe punonjësve, ndaj të cilëve, për qëllime të caktuara, po ushtrohet një terror i përditshëm psikologjik mediatik. Ata që thonë se nuk do të rritet pensioni, ose i kanë harruar gjyshet dhe gjyshërit, ose lahen në vaskë floriri. Të dalësh me tituj se nuk do të rriten pensionet dhe nuk do të kompensohet rritja e çmimeve, duke huazuar fjalorin popullit mund të them se ky qëndrim është një hibrid i shpirtkazmërisë dhe shpirtzisë. Prej 3 javësh bëjnë betejë për pensionet. Mund të sulmoni qeverinë, pasi kjo është normale, por jo të vendosni në terror psikologjik qytetarët. Është vetëm fjalë goje të thuash se nuk do të rriten pensionet, por mos harroni se ata janë mbi gjysmë milion. Kjo betejë psikologjike dëmton shumë edhe pushtetin e 4-t, sepse i humb autoritetin. Ka një problem madhor se ky është pushtet që nuk votohet dhe duhet të jetë i kujdesshëm dhe të mbajë parasysh interesin e tij më të mirë”, - tha më tej Berisha.

22 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›