Berisha shkarkon këtë javë zëvendësministrat, nesër është dita e fundit e punës për ta
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, do të propozojë në mbledhjen e fundit të qeverisë lirimin nga detyra të të gjithë zv/ministrave.
Burime zyrtare nga Kryeministria bëjnë të ditur për gazetën Panorama se kreu i qeverisë i është referuar legjislacionit në fuqi, i cili ia njeh këtë atribut mbledhjes së qeverisë.
Për këtë shkak, Kryeministri në detyrë ka kërkuar që krerët e dikastereve të jenë liruar nga detyra që kanë mbajtur përpara se kabineti të lërë zyrtarisht detyrën.
Aktualisht janë 30 zv/ministra në 15 ministri, të cilët pritet që nesër të kenë ditën e fundit të punës. Praktika e shkarkimit të zv/ministrave nga qeveria në ikje është e re për administratën tonë. Tetë vjet më parë, vendimet e para të kabinetit të drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha ishin pikërisht për shkarkimin e zv/ministrave të qeverisë Nano.