E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat raportojnë tek Rama për programin e 100 ditëve të para

Mbledhja e dytë informale e qeverisë së ardhshme zhvillohet në Shkodër

mbledhja vloreVetëm një javë para nisjes së punimeve të Kuvendit të ri, kryeministri i zgjedhur Edi Rama zhvilloi në Shkodër mbledhjen e dytë të qeverisë së re. Ashtu sikurse mbledhja e zhvilluar në Vlorë edhe mbledhja e Shkodrës u zhvillua në ambientet e një hoteli pa praninë e mediave.

Mbledhja

Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama mbërriti në ambientet e hotelit, ku do të zhvillohej mbledhja rreth orës 17 :00, ndërkohë që ministrat kishim mbërritur aty më herët. Edhe pse nuk ka pasur një njoftim zyrtar për diskutimet që do të zhvillohen në këtë mbledhje dy ditore, burime nga PS bëjnë me dije se në të pritet që të konkretizohen edhe më tej programet për secilin dikaster. Kështu, sipas të njëjtave burime, kabineti i ri do të diskutojë për programin e qeverisë për 100 ditët e para.

Diskutimet

Gjatë mbledhjes që po zhvillohet në Shkodër pritet që të gjithë ministrat të paraqesin para kryeministrit të ri Rama strategjinë për secilin dikaster si dhe strukturën e ministrive përkatëse. Ndërkohë mësohet gjithashtu se para dërgimit në Kuvend të programit të tij të qeverisë, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama së bashku me ministrat e rinj pritet ti japin Ok programit të 100 ditëve të para të qeverisjes. Pasi të bëjnë të ditur para Ramës prioritetet e punës së tyre për çdo ministri, ministrat do të diskutojnë se cilat janë masat më të mira për të frenuar situatën aktuale në ekonomi, rend, polici, arsim, shëndetësi etj. Të gjithë ministrat, mësohet se kanë përfunduar ato porosi dhe problematika që kishin dalë në mbledhjen e 10 ditëve më parë të zhvilluar në Vlorë, duke i hedhur në një plan të detajuar pune. / Renato Dauti

 

Berisha: Mbledhja e Durrësit dështoi sepse Dako nuk sponsorizoi

Kryeministri në detyrë, Sali Berisha komentoi pas vendimit të qeverisë së re për të mos zhvilluar në Durrës mbledhjen e parashikuar ditë më parë. Në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se mbledhja dështoi sepse pronarët e hoteleve nuk pranuan për të pritur falas anëtarët e kabinetit të ri. Sipas kryeministrit në detyrë, kreu i Bashkisë së Durrësit nuk pranoi të sponsorizonte asnjë pjesë të shpenzimeve të kësaj mbledhjeje. Të dashur miq, mbledhja dyditore e kabinetit pa letra të Piktorit në Durrës dështoi. Shkaku i anulimit qëndron në faktin se Gjushi nuk bindi dot pronarët e hoteleve në Durrës për të pritur falas kabinetin e Piktorit dështak për nderin që po i bënte qytetit bregdetar me eventin historik! Madje merret vesh se miliarderi Gjushi as që futi dorën në qese për të sponsorizuar një pjesë të shpenzimeve të orgjive dhe mbledhjeve të qeverise nomade dhe pa dokumenta të zotit Rama në qytetin e tij. Inati është diku tjetër?, shkruan kryeministri Berisha në rrjetin social Facebook.

 

Mbledhja e Vlorës, programi për 300 ditët e para

Kjo ishte mbledhja e dytë e zhvilluar nga kryeministri i zgjedhur, Edi Rama me ministrat e rinj. Në fillim të muajit gusht, Rama zhvilloi në Vlorë mbledhjen e parë me të gjithë ministrat e propozuar prej tij. Në mbledhjen e Vlorës, ministrat e rinj prezantuan para Ramës programin e çdo ministrie për 300 ditët e para. Gjithashtu në mbledhjen e Vlorës, kabineti i ri përcaktoi edhe pikat kryesore ku do të përqendrohet qeverisja përgjatë katër viteve të ardhshme. Mbledhja e parë e kabinetit Rama u zhvilluar përgjatë dy ditëve në ambientet e një hoteli në zonën e Ujit të Ftohtë, pa praninë e mediave.

 

Dekretimi i qeverisë së re, Nishani: Do respektoj Kushtetutën

Presidenti, Bujar Nishani deklaroi se do të respektojë Kushtetutën për dekretimin e qeverisë së re. Këto deklarata kreu i shtetit i bëri nga Vlora ku së bashku me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Arben Imami dhe Mimi Kodhelin e propozuar nga Rama për postin e ministres së Mbrojtjes për katër vitet e ardhshme vizituan helikoptermbajtësen britanike HSM Ilustrios të vendosur në hapësirën detare të Gjirit të Vlorës. Kjo ishte hera e për që Presidenti Nishani flet për dekretimin e qeveris së re. Ditë më parë, burime brenda presidencës pohuan se Presidenti Nishani do të dekretojë qeverinë e tij pas 24 orëve që kur dekreti të mbërrijë në presidencë. Referuar Kushtetutës, kreu i shtetit ka afat deri në 10 ditë, që pas mbërritjes së dekretit nga Kuvendi për të dekretuar atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›