Vlorë, Prokuroria çon për gjykim 8 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë Orikum
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, në bazë të kallëzimit të dërguar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), ka përfunduar hetimin dhe ka dërguar për gjykim tetë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) në Bashkinë Orikum, të akuzuar për veprën penale shkelje të barazisë në tendera.
Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) në Bashkinë Orikum, ; R.Mjalti, H.Çapoj, V.Ibrushi, E. Xhelilaj, I.Kokuri, A. Karafilaj, F. Bozhani dhe I. Troqe akuzohen se, në të paktën dy procedura prokurimi publik kanë kryer shkelje, të cilat arrijnë në total në vlerën 22.500.000 lekë të reja.
Sipas Prokurorisë së Vlorës, shkelja më e rëndë është konstatuar në procedurën e prokurimit me objekt Rehabilitimi i lagjes 4-Orikum, me fond 20.833.000 lekë të reja. Nga shqyrtimi i dokumentacionit, ka rezultuar se në konkurim kanë marrë pjesë dy shoqëri, të cilat nuk plotësonin kushtet teknike dhe ligjore. Në rastin konkret, asnjë nga dy operatorët ekonomik që kanë paraqitur ofertën e tyre në lidhje me tenderin e zhvilluar nuk kanë plotësuar kriteret specifike për kualifikim dhe duhej që të ishin skualifikuar dhe të përsëritej procedura e prokurimit. Në vlerësim të rrethanave të mësipërme, rezulton që lidhur me procedurat e prokurimit të përshkruar më sipër, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë në tendera, si dhe kërkesat e parashikuara në dokumentat e tenderit kanë shpallur fitues së procedurës së prokurimit Rehabilitim i lagjes 4 Dhjetori, Orikum, një shoqëri, duke i krijuar kësaj shoqërie avantazhe dhe privilegje të padrejta thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Po ashtu, Prokuroria e Vlorës ka hetuar mbi kallëzimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ka faktuar shkelje në procedurën e prokurimit publik Blerje autoveture, me fond 2.500.000 lekë të reja nga të njëjtën anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Bashkia Orikum. Në përfundim të hetimit është konstatuar se në këtë procedurë kanë marrë pjesë dy kompani dhe është shpallur fituese një shoqëri e cila nuk plotësonte kriteret specifike pjesëmarrjen në tender.