Berisha shkon në PD dhe paralajmëron: Nesër çlirojmë shtëpinë tonë nga pengu i Ramës!

Ish-Kryeministri Sali Berisha shkoi këtë të premte në Selinë e Partisë Demokratike. Pa hyrë brenda, përpara selisë zoti Berisha siguroi për hapjen e dyerve të selisë si dhe çlirimin e saj, sipas tij nga pengu i Ramës që është Lulzim Basha. “Nuk ka asnjë diskutim që dyert do të happen. Në mënyrën më të vendosur selia do u kthehet demokratëve. Nuk ka blind apo beton që mund të pengojnë demokratët shqiptarë si njerëz të lirë të rikthejë këtë ndërtesë nga burg që e ka kthyer Edi Rama me pengun e tij. Cdo blind që është vendosur në këtë ndërtesë do ngarkohet me kamion dhe do i çohet afër shtëpisë së tij. Këtu blinde nuk mund të ketë. Kjo nuk është ndërtesë e një grupi organizate terroriste, por seli e PD-së” tha ish kreu i PD dhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili po kërkon me ngulm rikthimin në krye të PD.
Zoti Berisha i bëri thirrje të gjithë demokratëve që të shtunën të mblidhen para selisë së PD në një proteste që ai e quajti kombëtare.