E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shkon në Slloveni për të shijuar këtë resort (por BMW nuk di të ngasë)

Bled Strategic Forum është një konferencë që zhvillohet rregullisht në Slloveni. Zhvillohet prej vitit 2006 dhe duhet thënë se lista e pjesëmarrësve është gjithmonë mbresëlënëse. Kuptohet pse: zhvillohet në resortin Bled, një vend përrallor në Slloveni. Edhe këtë vit lista e pjesëmarrësve është jashtëzakonisht e gjatë. Bien në sy zyrtarë të lartë të vendeve të rajonit tonë, por edhe të Lindjes së Mesme dhe asaj të Afërt, përfaqësues të biznesit ndërkombëtar, etj.

Në listën e të pranishmëve, personat me postin më të lartë të pranishëm janë kryeministri Sali Berisha dhe kryeministri kosovar Hashim Thaçi. Vendet e tjera përfaqësohen në nivel ministrash të Jashtëm ose diplomatësh. Natyrisht në forum ke mundësinë të takohesh me kryeministrin dhe presidentin slloven.

Berisha do të flasë në forum, njësoj si Thaçi. Por në forum do flasë edhe një biznesmen shqiptar, Xhevit Hysenaj, që merret me tregtinë e bimëve medicinale.

Agjencia sllovene Slovenia Times shkruan se Berishën do e presë kryeministri, presidenti dhe kryetari i parlamentit.

Agjencia thekson se vizitat mes dy vendeve kanë qenë intensive pasi në maj ishte kryetarja e Kuvendit shqiptar që vizitoi Slloveninë, kurse në vitin 2010 në Shqipëri ishte kryeministri i asaj kohe i Sllovenisë, Borut Pahor.

Por shkrimi thekson megjithatë se marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve janë modeste. Gjatë këtyre pesë muajve Sllovenia ka sjellë 15 milion euro mallra në Shqipëri, kryesisht ushqime dhe produkte farmaceutike, kurse Shqipëria ka eksportuar drejt Sllovenisë plot… 200 mijë euro mallra.

Slovenia Times shkruan se Shqipëria është vend i varfër që varet kryesisht nga ndihma e huaj. Ajo shton se ekonomia në vend është rritur me 2 përqind vjet, kurse sivjet do jetë vetëm 0.5 përqind.

Por Berisha të paktën do shijojë resortin e mrekullueshëm. Në axhendë thuhet se do ia kalojë mirë. Në një prej ditëve do kenë mundësi që të bëjnë edhe testime me makina BMW, pasi përfaqësuesit e kompanisë janë të pranishëm në forum. Sa keq që nuk i jep dot makinës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›