Ngrihet aktakuza e pestë për Ivo Sanader. Sa do ngriheshin për këtë tonin?
Një akuzë e pestë është ngritur ndaj ish- kryeministrit kroat, Ivo Sanader. Sipas Balkan Insight akuza është për dëm ndaj buxhetit të shtetit në vlerën 3.6 milion euro. Lajmin e bëri të ditur një zëdhënës i gjykatës së Zagrebit.
Sanader është nën akuzë së bashku me ish- ministrin e agrikulturës, Petar Cobankoviç, ish- deputetin Stjepan Fioliç dhe një person tjetër.
Prokurorët pretendojnë se dëmi është bërë duke shitur një godinë, të ndërtuar nga firma e Fioliç, për Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për dyfishin e vlerës së godinës.
Prokurorët thonë se Sanader dhe Cobankoviç kanë ndihmuar që vendimi të miratohet përmes qeverisë.
Deri më tani janë katër padi të ngritura ndaj Sanader për marrje ryshfeti, për tërheqje parash nga paratë e ndërmarrjeve publike dhe financim të paligjshëm me para publike të firmave të miqve.
Sanader është aktualisht në dy gjyqe, ndërkohë që një i tretë pritet të nisë në muajt në vijim.
Gjyqi i dytë ka dy padi të unifikuara për marrje ryshfeti.
Në gjyqin e parë Sanader akuzohet se ka marrë 2 milion euro nga paratë e sipërmarrjeve publike, të tërhequra nga partia e tij.
Në gjyqin e dytë ai akuzohet se ka marrë ryshfet gjysëm milion euro për të ndihmuar bankën austriake Hypo të hyjë në tregun vendas. Padia e dytë e këtij gjyqi është për marrjen e 10 milion eurove nga kompania hungareze MOL për marrjen e të drejtave mbi kompaninë kroate të naftës Ina.
Padia e katërt e akuzon Sanader se ka detyruar kompaninë shtetërore të energjisë, HEP, të furnizojë me çmim të ulët firmën Dioki, në pronësi të një miku të Sanader.