E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimi i makinave kalon nga bankat

Policat e sigurimeve të automjeteve tani e tutje do të arkëtohen në sportelet e bankave të nivelit të dytë. Çdo shoqëri sigurimesh do të ketë mundësinë të zgjedhë bankën që dëshiron për arkëtimet e saj. Një vendim i tillë i marrë nga kompanitë e sigurimeve mënjanon abuzimet me tarifat që secila prej kompanive të sigurimeve ofron aktualisht. Sipas Shoqatës së Kompanive të Sigurimit arkëtimi nga bankat e policave pritet të ulë shkallën e abuzimit dhe për rrjedhojë të rrisë arkëtimet. Aktualisht sigurimi i një autoveture një plus katër kushton 14 mijë lekë të reja. Çmimi është unik për të gjitha kompanitë, pavarësisht se tarifat e sigurimeve janë të liberalizuara me ligj një vit më parë. Deri para një jave, një autoveturë mund të sigurohej edhe me 13 mijë lekë në disa raste, por kjo ulje nuk mund të aplikohet me arkëtimin e tarifave nga sportelet e bankave. Gjatë këtij viti kompanitë e sigurimeve janë duke punuar fort në drejtim të stabilizimit të tregut pas humbjeve që u krijuan nga liberalizimi i çmimeve. për të stabilizuar këtë situatë kompanitë e sigurimeve, të mbështetura edhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, (AMF) po ofrojnë tarifa të njëjta për sigurimet e makinave, të cilat nisin nga 14 mijë lekë të reja. Ndërkohë që kompanitë kanë trefishuar çmimet për sigurimin e automjeteve, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është duke bashkëpunuar me Bankën Botërore për të stabilizuar situatën në treg. Shumë shpejt, për caktimin e tarifave të sigurimit të automjeteve do të përdoret një metodologji, e cila do të mbajë parasysh të dhëna të detajuara, që nga standardet e rrezikut që paraqet çdo subjekt, te vendndodhja e tij gjeografike, deri te të dhënat teknike të mjetit e te historiku personal i të siguruarit. Edhe çmimi që do t’i vendoset siguracioneve të makinave do të jetë shumë i detajuar. Ky projekt vjen në një moment tepër të rëndësishëm për tregun shqiptar të sigurimeve, pas heqjes me ligj të regjimit të tarifave fikse në sigurimin e detyrueshëm motorik.    

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›