E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shpall Ditë Zije kombëtare, vizita në familjet e viktimave, në Tiranë e Berat

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një vizitë në familjen Osmani, e cila humbi 8 anëtarë në tragjedinë e Liqenit të Farkës. “Të gjithë shqiptarët duhet të marrin me vete një copë nga dhimbja juaj e madhe dhe të gjithë ndajnë me ju këtë humbje të madhe të familjarëve tuaj të dashur”, u shpreh Kryeministri Berisha duke ngushëlluar të afërmit e viktimave.
Duke ndarë dhimbjen me familjet Osmani, Hysa, Spahiu, Blamo dhe Dibra, qeveria shpalli datën 6 mars ditë zie kombëtare. Duke ndarë këtë zi të thellë me familjet Osmani, Hysa, Spahiu, Blamo dhe Dibra, qeveria u shpreh familjarëve të këtyre viktimave të pafajshme ngushëllimet më të sinqerta. Këshilli i Ministrave vendosi të shpallë ditën e djeshme, ditë zie kombëtare në nderim të viktimave të mbytura. Në të gjitha institucionet shtetërore publike, flamuri kombëtar është ulur në gjysëm shtizë në orën 12 dhe, në nderim të tyre, është ndërprerë çdo veprimtari dhe është mbajtur një minutë heshtje. Ministria e Brendshme u ngarkua që të përballonte të gjitha shpenzimet e varrimit të viktimave.
Edhe Kreu i shtetit Topi dhe Zonja e Parë shprehin ngushëllime në familjen Osmani/Lajmin e humbjes së jetëve të pafajshme në tragjedinë e Farkës e përjetoi me dhimbje e trishtim edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ka shprehur publikisht ngushëllimet për familjarët, gjatë vizitës së tij në Bashkinë e Rrëshenit. “Sinqerisht nuk mund të gjej fjalë për të përshkruar dhimbjen dhe trishtimin që më ka pllakosur në momentin kur mora vesh lajmin e kësaj tragjedie, që përfshiu tre familje”, u shpreh Kryetari i Shtetit. “Një tragjedi e këtyre përmasave sigurisht të mbush me shumë trishtim dhe njeriu e ka të vështirë të zgjedhë fjalët e duhura. U konsumua një tragjedi, për fat të keq, në konturet e një absurdi. Një pakujdesi, të cilën ne po e ndeshim në mënyrë shumë të shëmtuar. Janë shumë jetë njerëzish, jetë njerëzish që fshihen brenda disa çastesh. Ndjej një hidhërim shumë të thellë, para së gjithash për familjarët e mbijetuar, por unë dëshiroj gjithashtu të ndaj dhimbjen time me dhimbjen e familjarëve. Dëshiroj t’u shpreh edhe njëherë familjarëve ngushëllimet më të sinqerta. Zoti ju dhëntë kurajo dhe vullnet për ta përballuar këtë dhimbje kaq të madhe”, u shpreh ndër të tjera Kreu i shtetit. Më tej, Presidenti i Republikës, ka garantuar familjarët se “së bashku me dhimbjen dhe hidhërimin e thellë që ndjej, dëshiroj të shpreh sigurinë se të gjitha institucionet e shtetit shqiptar do të jenë pranë familjarëve, të cilët, në këto çaste, kanë më shumë se asnjëherë tjetër nevojë për kurajo, ndihmë dhe mbështetje!” Ndërkohë, Presidenti i Republikës Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë Teuta Topi kanë ngushëlluar personalisht familjet Osmani, të cilat humbën tetë persona në tragjedinë e mëngjesit të djeshëm në Liqenin e Farkës, që i mori jetën 16 personave. Gjatë vizitës së ngushëllimit në banesat e familjes Osmani, Presidenti dhe Zonja e Parë kanë shprehur dhimbjen e madhe për këtë humbje të rëndë e cila tronditi mbarë opinionin publik. “Nuk gjej fjalë”, - ka thënë Presidenti i Republikës - “për t’ju shprehur ngushëllimet e mia, pasi tragjedia është jashtëzakonisht e rëndë. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe uroj që ta përballoni me forcë këtë moment jashtëzakonisht të vështirë!”. Ndërsa në ceremoninë mortore morën pjesë, krahas të afërmve edhe shumë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Sejdiu, mesazh ngushëllimi Presidentit Topi/Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka dërguar dje një mesazh ngushëllimi Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, me rastin e tragjedisë në Liqenin e Farkës në afërsi të Tiranës, ku humbën jetën 16 qytetarë. “Pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të popullit të Kosovës për tragjedinë e rëndë që ndodhi në Liqenin e Farkës, në të cilën humbën jetën 16 qytetarë të Shqipërisë. Këtë lajm të kobshëm e kemi marrë me pikëllim të thellë të gjithë në Kosovë, ndaj Ju lusim z. President që t’ua shprehni ngushëllimet tona edhe institucioneve, familjarëve të viktimave dhe gjithë popullit të Shqipërisë”, shpreh në mesazhin ngushëllues Presidenti Sejdiu. Ndërkaq edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i shprehur Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Topalli ngushëllimet e thella për tragjedinë e liqenit të Farkës.
Ministra dhe politikanë, të bashkuar në zinë e djeshme kombëtare/Ministri i Arsimit dhe Shkencës z.Genc Pollo ndërpreu dje vizitën në Shkodër, për të shprehur ngushëllimet e tij familjarëve të tragjedisë në liqenin e Farkës. Ai bëri një vizitë në banesat e të afërme të viktimave dhe në dalje u shpreh se “Kjo është një tragjedi e rëndë, vështirë të themi diçka, por duhet të qëndrojmë pranë familjeve me fjalë të ngrohta e të përzemërta për të ngushëlluar familjarët e viktimave nga kjo ngjarje e rëndë, duke shpresuar t’u lehtësojmë sadopak dhembjen e rëndë, por edhe duke shpresuar që tragjedi të tilla të mos kemi më”. “Tragjedia e Farkës është një ngjarje rëndë, që së bashku e përjetojmë dhimbshëm”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, gjatë vizitës në morgun e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, vend ku u transportuan 16 trupat e pajetë. Duke shprehur keqardhjen për këtë ngjarje të rëndë të ditës së djeshme, Ndoka tregoi se ishte njoftuar për këtë tragjedi pak minuta nga mesnata, nga Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. “Menjëherë në vendngjarje shkuan të gjitha ekipet mjekësore me katër autoambulanca, të cilat në bashkëpunim më forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë, bënë të mundur që katër të mbijetuarit të merrnin ndihmën e parë shëndetësore, ndërsa kufomat janë transportuar pranë morgut të QSUT-së”, tha Ndoka, duke u shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera, po marrin të gjitha masat për lehtësimin e procedurave për t’iu ardhur në ndihmë familjarëve. Është ngritur një grup pune që drejtohet nga Ministria e Brendshme dhe po merren masa përkatëse, ndërkohë janë në shërbim dy autoambulanca të cilët do të qëndrojnë pranë familjarëve për çdo eveniment. Tragjedia ndodhi mëngjesin e ditës së djeshme, në Liqenin e Farkës, në Tiranë, ku një motobarkë në bordin e së cilës ndodheshin 19 pasagjerë dhe pronari i saj, u mbyt. Nga kjo tragjedi mbijetuan vetëm 4 persona. Të mbijetuarit janë shtetasit: Beqir Sinani, Luena Spahiu, Romina Hysa dhe Erjona Dibra (e bija e pronarit të Bar - Restorant “Liqeni”).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›