E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha shpreh mbështetje, bashkimi shqiptar shpëton kombin

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në reagimin e tij personal për heqjen e monumentit të dëshmorëve në Luginën e Preshevës, thekson se bashkimi kombëtar i shqiptarëve është vendimtar për trojet që janë pushtuar.

“Akti i heqjes së monumentit të heronjve të kombit shqiptar të Luginës së Preshevës, është dëshmi tjetër e albanofobisë që sundon politikën zyrtare të Beogradit ndaj shqiptarëve. Ky akt dëshmon dhe një herë se bashkimi i kombit shqiptar është vendimtar për të ardhmen e tij por dhe për çlirimin e fqinjëve tanë nga albanofobia dhe pasiguria që ndiejnë ata që kanë pushtuar trojet e shqiptarëve dhe shërbehen me praktika raciste dhe fobie ndaj tyre”, shkruan kreu i qeverisë shqiptare në faqen e tij në Facebook.

Nga ana tjetër Berisha bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe siguron shqiptarët në Serbi se Shqipëria do të ndërhyjë me anë të institucioneve ndërkombëtare.

“Duke iu shprehur mbështetjen e plotë qytetareve dhe udhëheqësve politikë të Preshevës, sërish u bëj thirrje të shmangin provokimet, të ruajnë gjakftohtësinë ndaj terrorit policesk të Beogradit dhe i garantoj se Shqipëria do bëjë gjithçka në të gjitha institucionet ndërkombëtare për t'i dhënë fund terrorit policor ndaj shqiptareve që jetojnë në trojet e tyre etnike në Luginën e Preshevës. Ata që shkulën monumentin e heronjve të Preshevës duhet ta dinë se; Të rënët tanë nuk vdesin kurrë!”, përfundon Berisha./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›