E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha shqyrton çështjen çame

Në një takim me të zgjedhurit vendorë socialistë të zhvilluar në qytetin e Fierit, kryesocialisti Edi Rama ka theksuar se me këtë qeverisje ka vetëm rrënim në të gjitha aspektet. “Bazuar mbi këtë model qeverisës, siç po rrënohet ekonomia, siç po rrënohen familjet në nevojë dhe po shtohet numri i familjeve të varfra, siç po rrënohet sipërmarrja e madhe apo e vogël siç po rrënohen shërbimet publike, shëndetësi, arsim, ashtu po rrënohet edhe buxheti i njësive vendore”, është shprehur lideri i opozitës.

Kryetarët e bashkive kryesore Durrës, Elbasan, Korçë e Vlorë, janë ankuar për paralizim të punës së tyre nga qeverisja qendrore. Kritikat janë përqendruar në buxhetin e sapomiratuar, i cili sipas tyre që në hartimin e tij ka pasur si synim bllokimin e punës së bashkive që drejtohen nga përfaqësuesit e PS-së. “Ky buxhet është rrënues ndaj bashkive dhe komunave. Është një buxheti i cili i ka hapur një rrugë me transfertë e pakushtëzuar, një fenomeni shumë të rrezikshëm.

Bashkia e Durrësit akoma nuk e ka marrë ndërmarrjen e ujësjellës kanalizimeve dhe penalizohet nga kjo qeveri vetëm me arsyetimin sepse i ka borxh kompanisë CEZ”, është shprehur kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ndërsa për kryebashkiakun e Elbasanit, problemi i ujësjellësit është në drejtim të kundërt, ndërsa paralizimi i aktivitetit të bashkisë, i njëjtë me të tjerët. “Unë nuk e kam ujësjellësin në administrim. E kërkoj dhe nuk ma japin. Pra ka probleme mjaft të çuditshme dhe në zbatimin e ligjit. Kështu siç jemi dhe në këto kushte ne jemi të paralizuar”, ka thënë Qazim Sejdini, shkruan Shqip.

Kryetari i Bashkisë së Korçës, e ka konsideruar buxhetin si një buxhet arrogant, megjithëse krijohet nga taksat që paguajnë qytetarët nuk shkon në interesin e tyre. “Ky mbi të gjitha është një buxhet arrogant, buxheti i shtetit nuk është buxheti i qeverisë. Buxheti i shtetit është buxheti i shqiptarëve, krijohet me taksat që shqiptarët tanë paguajnë. Qytetarët tanë paguajnë shumëfish më tepër taksa kombëtare krahasuar me taksa lokale”, ka theksuar Niko Peleshi, ndërsa më ashpër akoma ka qenë kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, me deklarimin e tij: “Unë jam sot këtu në këtë takim për t’i bërë me dije të ashtuquajturit kryeministrit, ende në detyrë dhe për pak kohë, që me këto buxhete ai mendon se dëmton ne, realisht ka dëmtuar qytetarët. I them kryeministrit që mua më ka në ballë të punës politike që në 23 qershor ky kryeministër të shporret megjithë këtë buxhet.”/Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›