Berisha: Është shumë shqetësues fakti që 1 milion njerëz nuk kanë akses në kanalizime
Kryeministri Berisha drejtoi mbledhjen e Grupit të Punës për çështjet e ujit dhe kanalizimeve, ku deklaroi se është shqetësuese që 1 milion njerëz në vend nuk kanë akses në kanalizime. E vërteta është që, në rast se në drejtim të furnizimit me ujë ka një realitet të ri dhe që duhet përmirësuar përsëri, në drejtim të kanalizimeve dhe të trajtimit të ujërave të ndotura dhe të mbetjeve që dalin prej tyre, kërkohet një veprim shumë energjik. Duhet të kemi parasysh edhe faktin se ky vend pret në vit mbi 4 milionë turistë e vizitorë. Pra, në vetvete, domosdoshmëria e zhvillimit të kapaciteteve, në përputhje me këto zhvillime, është shumë e madhe. Përsëri sot janë pa akses në kanalizime rreth 1 milionë banorë, shifër kjo shumë shqetësuese. Kjo do të thotë se ne duhet të lëvizim me shpejtësi, me përparësi absolute në zonat turistike, ku duhet të finalizojmë përfundimin e procesit të kanalizimeve, të lidhjes së këtij sistemi me kolektorin dhe të lidhjes së kolektorit me Impiantin e përpunimit. Investime të mëdha janë bërë dhe po bëhen. Mjafton tju kujtoj këtu se janë 14 impiante në ndërtim e sipër, por ritmet duhet ti shpejtojmë dhe këtë ta bëjmë, para së gjithash, në zonat turistike, nga Velipoja në Ksamil. Më pas, i rikthehemi çdo zone tjetër të vendit. Por, këto zona kanë përparësi, pasi kanë edhe ngarkesën absolute në periudhën 3-4 mujore të vitit, tha Berisha.
Kryeministri shtroi se një tjetër problem i madh në vend janë gropat septike. Problem madhor janë gropat septike që kanë një zinxhir problemesh, së pari, vet fakti se qeniet e tyre janë vatra infeksioni thellësisht problematike. Por, po kaq problematike është qëndrimi që mban pushteti vendor ndaj tyre. Këto struktura kanë 1 autobot a 2 dispozicion dhe marrin e i çojnë këto mbetje në vende që nuk duhet ti dërgojnë asnjëherë, shpërndajnë llumin e tyre në zona të paautorizuara dhe krijojnë një problem shumë të madh me to. Është shumë e rëndë kur edhe në vendet që ka kolektor, apo impiant përpunimi, këto struktura bëjnë zgjidhje më të shkurtra dhe nuk i zhvillojnë tërësisht kapacitetet e tyre. Ministria e Mjedisit duhet të praktikojë qëndrimet më të rrepta, ndaj të gjithë atyre që nuk trajtojnë mbi baza ligjore problemet e lidhura me gropat septike. Duhet të krijohet një realitet i ri, një praktikë e re në qëndrimin ndaj tyre. Ne po ndërtojmë një seri impiantesh dhe duhet të bëjmë gjithçka që të shpejtojmë punimet, të bëjmë gjithçka që kontratat të zbatohen me rigorozitet, qoftë për kanalizimin, për ndërtimin e kolektorit, për lidhjen e tij me impiantin. Ka vonesa në disa prej këtyre impianteve, në disa prej këtyre sistemeve. Unë gjykoj se këtë vit duhet të bëjmë gjithçka për të shpejtuar punimet në këto sisteme që janë faktikisht në përfundim e sipër. Pra, kërkohet angazhimi ynë total për ti vënë ato në funksion, në Durrës, në Vlorë, Sarandë, në Velipojë, Golem e vende të tjera, tha Berisha.