E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja britanike: Duhet një president i bashkimit kombëtar, ai është garant i institucioneve partnere të NATO-s

Share

Ambasadorja Fiona McIlwham thotë se në Britani deputetët e korruptuar janë në qeli. Ajo shton se është në favor të një referendumi për importin e plehrave

Ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona McIlwham, e cila po largohet nga Tirana, ka dhënë një intervistë për revistën JAVA. Ajo thotë se Shqipëria ka bërë ndryshime të mëdha këto 20 vite, por shton se këto janë ndryshime që kanë ardhur falë shqiptarëve pasi politika nuk e ka mbajtur ritmin e tyre. Ambasadorja britanike thotë se Shqipëria ka një shans tani për ti dhënë një shtytje përpara integrimit, por nëse dështon sërish, do të thotë rënie më tej prapa. Ambasadorja thotë se është e rëndësishme që në vend të zgjidhet një president i bashkimit kombëtar. Presidenti është mbrojtës i disa prej institucioneve më të rëndësishme të demokracisë dhe sigurisë të Shqipërisë, të cilat janë edhe institucionet partnere për aleatët e NATO-s. Ai ose ajo është një nga shtyllat e demokracisë suaj dhe në përputhje me Kushtetutën tua, një figurë e bashkimit kombëtar. Pra, unë jam për një figurë uniteti, dikush që mund të ndërtojë një urë mbi ndarjet politike, të përfaqësojë të gjithë shqiptarët dhe i cili do të mbështesë dhe të forcojë pavarësinë dhe profesionalizimin e institucioneve kyçe.

Më tepër se votat, marrëveshjet apo emrat, mendoj se është e rëndësishme që shqiptarët- si dhe deputetët që janë mandatar për të marrë këtë vendim- të mendojnë në lidhje me llojin e demokracisë që ju dëshironi, llojin e presidentit që ju duhet dhe imazhin që doni të projektoni në botë, thotë McIlwham.

Ambasadorja ka një këshillë përpara largimit, kërkon që në vend të aplikohet zbatimi i ligjit. Aplikoni sundimin e ligjit. Kjo është një formulë shumë e thjeshtë për efektive demokratike. Askush nuk mund ose duhet të jetë mbi ligjin, as politikanët, as gjyqtarët, apo dikush tjetër, pavarësisht se sa të pasur janë apo sa miq kanë. Pra, çdo imunitet duhet të jetë i kufizuar dhe aty ku ka prova për shkelje apo korrupsion, duhet të hetohen dhe ndiqen penalisht, pavarësisht nga pozitat apo influenca e atij personi. Kur kryeprokurori britanik erdhi për vizitë në janar, ai dha disa shembuj konkretë të rasteve që kishte hetuar në lidhje me keqpërdorimin e fondeve publike nga disa deputetë britanikë. Disa deputetë britanikë janë në burg tani. Njerëzve që iu është besuar posti publik dhe pushteti duhet tu kërkohet edhe llogari. Kjo vlen edhe për gjyqtarët. Si interpretues të rregullave ata mbajnë përgjegjësi të veçantë, jo para politikanëve, por para popullit, të veprojnë me integritet dhe profesionalizëm. Kur nuk e bëjnë këtë, njerëzit apo kolegët e tyre duhet tu kërkojnë llogari, thotë ajo.

McIlwham është dhe në favor të një referendumi për importin e plehrave. Referendumi për plehrat është shembulli i gjallë dhe pozitiv i veprimit popullor, demokratik. Pavarësisht nëse mendoni se kanë të drejtë apo jo, parimi i mbajtjes së një referendumi për një çështje të rëndësishme social- mjedisore është evropian dhe është demokratik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›