Berisha shtroi darkë për Coppolan

Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha kanë shtruar të premten një darkë për nder të regjisorit të mirënjohur amerikan Frencis Ford Coppola dhe bashkëshortes së tij, të cilët kanë ardhur në Shqipëri si të ftuar të veçantë në Festivalin IV Ndërkombëtar të Filmit, në Durrës.
Zyra e shtypit e kryeministrisë, bëri të ditur lajmin. Në këtë darkë kryeministri citohet të jetë shprehur se “është një nder i madh për vendin tonë që këto ditë pret një njeri të shquar dhe të dashur për shqiptarët, si Frencis Coppola”
Kreu i ekzekutivit duke vlerësuar filmat e regjisorit Coppola, tha se ato kanë përcjellë tek shikuesit shqiptarë mesazhe shprese dhe lirie, duke hapur për ta një dritare drejt Evropës.
"Në këto 4 dekadat e fundit, asnjë nuk është vlerësuar më shumë sesa zoti Coppola, nëpërmjet filmit të tij “Kumbari”, një nga filmat më të realizuar të të gjitha kohërave, i cili do të mbetet i pavdekshëm", tha Berisha.
Nga ana e tij, regjisori Frencis Coppola, u interesua për origjinën e shqiptarëve dhe për njerëzit e shquar që ky vend i dha botës, ndër ta edhe Nënë Terezën. Në darkë ishin të ftuar ambasadori amerikan në Tiranë, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, si dhe kineastë dhe organizatorë të festivalit.
Coppola me të përfunduar darka ka udhëtuar për në SHBA ku një festival do ta kujtoj krijimtarinë e tij.