E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria pritet të zhbllokojë krizën për regjistrimin

Nga Express më 03 shtator 2011 në ora 16:18

Qeveria e Maqedonisë deri të mërkurën e ardhshme pritet të dalë me qëndrim lidhur me krizën e krijuar për procesin e regjistrimit të paraparë prej 1 deri më 15 tetor.

Mosmarrëveshjet midis anëtarëve shqiptarë dhe maqedonas të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit (KSHR) kanë bërë që të bllokohet puna e këtij komisioni dhe të mos shpallen konkurset për pranimin e regjistruesve. Kryetarja e KSHR-së, Vesna Janevska deklaroi se i ka dërguar letër Qeverisë për të shqyrtuar situatën e krijuar dhe të vendosë se a duhet që regjistrimi i popullsisë të mbahet prej 1 deri më 15 tetor, pas këtyre vonesave dhe mosmarrëveshjeve.

Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha, deklaroi për INA se javën e ardhshme pritet të shqyrtohet kjo kërkesë dhe sigurisht do të dilet me qëndrim të qartë.
“Deri tani në Qeveri ka kaluar vendimi për t’u mbajtur regjistrimi në afatin e paraparë prej 1 deri më 15 tetor dhe se nuk mund të flitet për momentin për ndonjë zhvillim të ri rreth këtij procesi”, ka theksuar zëdhënësi Muhamet Hoxha.

Në rast se Qeveria vendos që të zhbllokojë krizën brenda KSHR-së, atëherë regjistrimi i popullsisë mund të mbahet në pjesën e parë të muajit të ardhshëm, ndërsa menjëherë gjatë javës së ardhshme të shpallen edhe konkurset për pranimin e regjistruesve. Anëtarët maqedonas në KSHR theksojnë se partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e regjistrimit në afatin e caktuar. (INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›