E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: S’kam tabu të jem sërish ministër i Berishës

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, paralajmëron rikthimin në kampin e djathtë dhe ambicien e tij për një portofol ministror. “Ika në opozitë, se u shkel marrëveshja e bashkëqeverisjes. PD-ja ka reflektuar”

Pas deklaratave kontradiktore për të ardhmen e tij politike, kreu i demokristianëve duket se e ka bërë zgjedhjen e tij për t’u rikthyer në kampin e djathtë. “Nuk kam tabu të jem sërish ministër i Berishës”, - tha mbrëmë Ndoka, i ftuar në emisionin “Fakt” të Çim Pekës, duke konfirmuar negociatat mes PD-së dhe PDK-së për një aleancë të afërt mes tyre. Kryetari i PDK-së ka pohuar se qeveria ka nevojë për frymën kristiane, duke lënë kështu të kuptohet ikjen nga opozita, por edhe ambiciet për një portofol ministror. I pyetur nga gazetari Peka për arsyet pse partia e Ndokës ndodhet në opozitë, ai është përgjigjur se lidhen me prishjen në mënyrë të njëanshme nga PD-ja të marrëveshjes së bashkëqeverisjes. “Jemi në opozitë se na përzuri Partia Demokratike në opozitë. Ishte ajo që prishi në mënyrë të njëanshme marrëveshjen e bashkëqeverisjes”, - ka thënë Ndoka. Por krisja e ndodhur pas zgjedhjeve të 2009-s duket se është kapërcyer, pasi kryetari i PDK-së i motivon negociatat me PD-në mbi reflektimin që është bërë. “Partia Demokratike ka reflektuar ndaj nesh”,-tha Ndoka, duke pohuar edhe një tjetër herë ekzistencën e bisedimeve me Partinë Demokratike. Kalimi i partisë së Nard Ndokës në mazhorancë diskutohet prej disa kohësh, ndërsa marrëveshja e re PD-PDK pritet të bëhet realitet në fillim të vitit të ardhshëm. Vetë Ndoka, në deklarimet e tij publike, e ka lënë evazive bashkimin me mazhorancën, duke pohuar negociatat, por jo vendimin e tij për t’u rikthyer në kampin e djathtë. Mbetet ende në diskutim “formula” e bashkëqeverisjes, pasi kreu i PDK-së edhe në këtë intervistë të dhënë në emisionin “Fakt” flet qartë për ambicien e tij për të marrë një post ministri në kabinetin e Berishës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›