E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha sulm Prokurorisë: Liroi kriminelët

 Gjatë mbledhjes së Komitetit të Planifikimit Strategjik, Berisha u shpreh se "është i domosdoshëm një hetim i ndershëm dhe i paanshëm i demonstratave para kryeministrisë".

Sipas tij, "që në fillim i ka kërkuar Prokurorisë së Shtetit të nisë menjëherë hetimin për të sqaruar të gjitha rrethanat".

Duke folur për vendimet e sotme të Gjykatës së Tiranës për lirimin e shumë të ndaluarve për protestën e dhunshme, kryeministri akuzoi direkt prokurorinë se po mbron kriminelët. “Prokuroria urdhëroi ndjekje të lirë për një kriminel, që sulmoi me armë dhe vuri zjarrin institucioneve, do të thotë që e nxjerr vetën shumë keq para shqiptarëve dhe institucioneve të botës”, tha kryeministri. 

Ai shtoi se Prokurorja e Përgjithshme, e cila ka kërkuar hetimin dhe arrestimin e gjithë zinxhirit drejtues të gardës së Republikës, që qëndroi në mbrojtje të institucioneve, "ka urdhëruar sot ndjekjen në gjendje të lirë të njërit prej kryeterroristëve dhe banditëve, të personit që është filmuar dhe fotografuar nga media shqiptare dhe e huaj me revolver në brez tek dera e kryeministrisë".

Kryeministri theksoi se "ky është skenari B që po ndjek opozita, pas dështimit të skenarit A, që parashikonte marrjen e pushtetit me dhunë". "Në video të ndryshme shfaqen pamje që duhet të dëshmojnë se protestuesi është vrarë nga protestuesit. Nuk them asgjë. E vetmja gjë që them është që të hetohet, të jenë ekspertët e balistikës, ekspertët e paanshëm, njerëzit e zotë dhe të ndershëm që të thonë fjalën e tyre", tha Berisha.

Berisha akuzoi kreun socialist Edi Rama si "organizuesin e grushtit të shtetit dhe si personin që urdhëroi goditjen e forcave të rendit dhe të gardës së Republikës, me qëllimin e vetëm, të marrë karrigen e kryeministrit". /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-01-24 13:38
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›