E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulevardi post-shkatërrim!

Me shumë mundësi edhe për disa javë të tjera, sulmi vandal ndaj godinës së kryeministrisë do të mbetet në imazhin e njerëzve. Sot, teksa një javë e re ka nisur, gjurmët e së premtes së shkuar kanë mbetur ende pavarësisht shiut të dendur të rëna ditët e fundit.

Demonstruesit, shumica të rinj-si rrallë ndonjëherë-u bashkuan para selisë së kryeministrisë duke brohoritur fuqishëm. Pas orës 14:00 situata vazhdoi të agravohej, teksa shkopinj të shumtë në disa raste me flamuj kombëtar, tulla të shkulura nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, u hodhën si rrebesh mbi forcat e rendit dhe të Gardës së Republikës.

Një makinë me ujë shpërndau për disa momente turmën e egërsuar, por sulmi i mëpasëm ishte shumë i “fortë” dhe gjaksjellës, ku të rinj me mjete të forta u hodhën fuqishëm ndaj policisë. Situata u rëndua më pas dhe demonstrata tek “Dëshmorët e Kombit”, u mbyll me “dëshmorë” të pakuptimtë të hakmarrjeve politike. Përveç të vdekurve, pati edhe dhjetëra të plagosur dhe rreth 15 makina të djegura.

Një autoveturë luksoze tip "Audi" dhe një fuoristrade me ngjyrë të bardhe me targa "Policia", ishin të parat që ranë pre e djegies. “Pre” e dhunuesve të shtetit u bënë edhe pllakat e Piramidës që u shkulën me plot forcë për t’u hedhur në drejtim të ndërtesës së qeverisë. Me gurë janë thyer edhe mjediset e xhamta të brendshme të Kullave Binjake, përballë Kryeministrisë, të cilat sot ofrojnë një pamje të kobshme.

Sot, gurë të shumtë ndodhen para derës së kryeministrisë dhe makinat e djegura janë ende si dëshmi të një situate të dhimbshme të shoqërisë sonë. Bulevardi kryesor para kryeministrisë është pothuajse i shkatërruar, teksa shiu mbulon disi gjurmët e gjakut, por jo pllakat e thyera. Tirana po i rikthehet edhe një herë normalitetit, duke shpresuar se politika nuk do të bëhet shkak për shkatërrimin e ndërtesave publike, që gjithsesi janë pasuri e të gjithëve ne. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-01-24 15:11
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›