Berisha sulmon Topin: Refuzoi të firmosë ligjin e lustracionit
Në Ditën e Kujtesës, duke bërë apel gjithë shoqërisë për mos harrim të krimeve të diktatorit më gjakësor pas Hitlerit, Berisha ka lëshuar akuza në adresë të kreut të shtetit, presidentit Bamir Topi. Duke folur në ceremoninë e organizuar për të përkujtuar 22 intelektualët e pushkatuar nga regjimi komunist, Berisha theksoi se ishte përfaqësuesi i zgjedhur nga e djathta, pikërisht Presidenti i vendit, që refuzoi të firmoste ligjin për lustracionin në këtë vend.
“Rreth 5 vjet më parë dërguam në presidencë një përfaqësues duke besuar se i takon të djathtës, por ai refuzon të firmosë ligjin për lustracionin, për të zbardhur të vërtetat për atë institucion që ishte hanxhari që u përdor për të ekzekutuar këta burra dhe 5 mijë të tjerë. Topi tha, nuk e ktheva se do me gjuanin me gurë se e kishte për ju apo për PD-në hajde gjeje” theksoi Berisha.
Gjithashtu kreu i qeverisë i bëri apel të gjithë shoqërisë shqiptare të bëjë gjithçka për të parë të vërtetat e kombit në sy. "Sa më drejt t`i shohim të vërtetat tona aq më të sigurtë do të jemi në të ardhmen tonë.Ju ftoj të vazhdojmë përpjekjen tonë të drejtë, serioze për të nxjerrë në pah ata çka ne përjetuam në mënyrë që për brezat e ardhshëm të mos përsëritet më” ka theksuar Berisha.
Sipas tij, ky vend përdori ligjin për dënimin e krimeve të komunizmit, të gjitha vendet e diktaturave ish komuniste nuk bëjnë as gjysmën e krimeve të kryera nga diktatura e Enver Hoxhës.
Duke e cilësuar një nga ngjarjet më të shëmtuar të historisë sonë, kryeministri Berisha theksoi se këta intelektualë kanë vetëm një apel atë të mos harrohen. “Ky apel s`ka të bëjë aspak me ta por mbi të gjitha ka të bëjë me ne po më shumë se këdo tjetër me të rinjtë e këtij vendi. Ky apel ka për qëllim që kjo hsitrori të mos përsëritet më dhe të memorizohet dhe të mbetet si plagë në historinë e vendit” theksoi Berisha.