E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha takim me intelektualët dhe qytetarët e Shijakut: Ka një braktisje të pashembullt të vendit

Braktisja e vendit ka qenë në fokus të një takimi që, Sali Berisha, ka zhvilluar me intelektualë dhe banorë të Shijakut. Ai fillimisht u ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Shijaku i ka bërë PD-së në këto dekada, dhe përpjekjet për një Shqipëri të zhvilluar, demokratike dhe të integruar në BE.

“Sot Shijaku dhe mbarë Shqipëria, përjetojnë një periudhë krize të vërtetë, të thellë, e cila shprehet me një braktisje të pashembullt të vendit, Shijakut dhe Shqipërisë nga qytetarët e vendit. Kjo braktisje në të vërtetë është shumë më e dhimbshme, e hidhur, se sa ajo që ndodhi në vitin 1991. Është shumë më e dhimbshme dhe e hidhur, sepse në vitin 1991, ne jemi dëshmitarë, ne vërtetë fituam lirinë, por ishim nën tiraninë e tmerrshme të mjerimit.”- tha Berisha.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë në vitin 1991, ishin qytetarët e tretë më të varfër të planetit, kështu që ai largim masiv nga Shqipëria i vitit 1991, lidhet me dhimbjet e mëdha që krijonte tirania e mjerimit, pavarësisht se liria u fitua, nga diktatura dolëm, por ajo që vazhdoi ishte mjerimi i thellë në të cilën na kishte zhytur diktatura.

“Sot jo, sot është një regjim. Për 30 vite Shijaku ndryshoi shumë, Shqipëria ndryshoi shumë. Nga viti 2007-2014, banorët e Shijakut, Shqipërisë, u rritën nga viti në vit dhe kjo është statistikë e vërtetë. Nga viti 2014 deri në vitin 2021, nga Shijaku, Durrësi, Tirana dhe mbarë Shqipëria u larguan 26% e popullatës, më shumë se 744 mijë qytetarë, veç në BE, pa llogaritur këtu ata që ikën në Kanada, SHBA apo vende jashtë hapësirës evropiane.”,- tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›