Sulmet kibernetike/ Stoltenberg telefonon Ramën: NATO ofron mbështetje për Shqipërinë

NATO është në krah të aleatit të saj, Shqipërisë, kundër sulmeve kibernetike që i janë bërë së fundmi nga Irani. Këtë e ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama.
Stoltenberg bëri të qartë se NATO do të ofrojë mbështetje për Shqipërinë dhe solidarizohet me vendimet e saj në lidhje me dënimin e sulmeve kibernetike.
“Fola me kryeministrin Edi Rama mbi sulmet kibernetike kundër aleatit tonë, Shqipërisë, i cili i atribuohet Iranit. NATO do të vazhdojë të ofrojë mbështetje dhe qëndron në solidaritet të plotë me Shqipërinë”, shkruan Stoltenberg.
Sulme kibernetike që iu bën shërbimeve publike online dhe sistemit TIMS shërbyen edhe për prishjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit.
Shqipëria fajësoi Iranin për një sulm kibernetik të 15 korrikut që mbylli përkohësisht shumë shërbime dhe faqe interneti dixhitale të qeverisë shqiptare dhe sulmin ndaj sistemit TIMS që u bë gjatë ditëve të fundit që synonte sistemet kompjuterike të policisë kombëtare.
Kryeministri Edi Rama tha se një hetim përcaktoi se sulmi kibernetik i korrikut nuk ishte kryer nga individë apo grupe të pavarura, duke e quajtur atë një “agresion shtetëror”. Të dy vendet kanë qenë armiq të ashpër prej vitesh, që kur Shqipëria mirëpriti anëtarët e opozitës Muxhahidinët Popullorë të Iranit (MEK).
Irani hodhi poshtë akuzat se qëndron pas sulmit kibernetik si “të pabazë” dhe e quajti vendimin e Shqipërisë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike “një veprim të pamenduar dhe dritëshkurtër”.
/rtsh.al/