PL, Vasili: Qeveria po abuzon me emërimet pa kriter në administratë

Partia e Lirisë ka akuzuar sot qeverinë se po abuzon me emërimet pa kriter, sipas saj, në administratë. Deputeti i opozitës, Petrit Vasili, në një konferencë për mediat, u shpreh se me këto abuzime qytetarët paguajnë 94 milionë euro në vit për t’i mbajtur në punë.
“Administrata, punonjësit publik, arrijnë në numrin më të lartë që prej 20 vitesh. Plot 186 mijë punonjës publik. Pagat e tyre hanë dhjetra e qindra milionë euro. Misioni i Rilindjes është që të paguajë patronazhistë, jo mundësi që të paguajë pensionistët. Në 2013 administrata publike kishte 163 mijë punonjës. Sot, në 10 vitet e këtyre, është rritur me 25 mijë. Një qytet i tërë me punonjës publik. Vetëm nga fundi i 2020-ës deri në këtë situatë, thuajse në 1 vit e gjysmë, janë shtuar rreth 15 mijë punonjës publik. 18 mln euro në muaj për administratën.”, tha Vasili.
Sipas tij, misioni i Partisë së Lirisë është që t’ju tregojë qytetarëve abuzimet e qeverisë “Rama”.
“S’do kishte shkollë pa ngrohje, janë të qarta llogaritë. Do kishte më shumë mbështetje për pensionistët, dhe jo t’i jepej 300 lekë të vjetra në ditë. Shifrat flasin vetë, janë kaq kokëfortë, janë pa asnjë alibi. Misioni ynë është pa kthim, për të qenë pranë jush me këto informacione.”, deklaroi Vasili.
/rtsh.al/