Integrimi/ Nesër takimi i parë Shqipëri-BE për legjislacionin që do të negociohet

Shqipëria dhe Bashkimi Europian do të mbajnë të enjten (15 shtator) takimin e parë për shqyrtimin shpjegues të legjislacionit që do të negociohet me BE.
Burime diplomatike nga Brukseli i thanë Televizionit Publik se takimi do të kryesohet për palën shqiptare nga kryenegociatorja Majlinda Dhuka, ndërsa për palën europiane nga drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit.
Drejtoria e Përgjithshme e Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit është e vendosur në Bruksel me rreth 1650 anëtarë të stafit në Bruksel dhe në delegacionet e BE-së në vendet partnere, që punojnë nën autoritetin politik të Komisionerit Olivér Várhelyi dhe menaxhohen nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm Maciej Popowski .
Ndërkohë që nga e hëna Grupi i Punës i Këshillit të BE-së për Zgjerim dhe për vendet negociuese për anëtarësim në BE – COELA, zhvilloi takime në Tiranë me autoritetet më të larta.
COELA ose struktura e përbërë nga diplomatë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së është përgjegjëse për procesin e zgjerimit dhe marrëdhëniet me vendet kandidate që janë duke negociuar për anëtarësim në BE, mandat në të cilin vizitoi për herët ë parë Shqipërinë.
KOELA kryesohet nga presidenca e radhës e Këshillit të BE-së, aktualisht nga një diplomat i Misionit të Përhershëm të Republikës Çeke në BE.
Vizita që ndiqet paralelisht edhe në Maqedoninë e Veriut, pason vendimin e Këshillit të BE-së për transferimin e dosjeve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në grupin e punës përgjegjës për vendet që janë në procesin e negociatave me BE-në.
/rtsh/