E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takohet me përfaqësues të pushtetit lokal nga Kosova

Kryeministri Berisha takohet me përfaqësues të pushtetit lokal nga Kosova.  Kryeministri Berisha, theksoi rëndësinë dhe dobinë e vendosjes së një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet dy vendeve në fushën e qeverisjes vendore. Ai shprehu bindjen se qeveritarët vendore të të dy vendeve mund të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe t`i zbatojnë ato me sukses në komunat respektive, në interesin më të mirë të komuniteteve që ata drejtojnë. Qeveritarët vendorë, tha Kryeministri, janë ata që lidhen direkt me njerëzit dhe me veprimtarinë e tyre kanë ndikimin direkt në jetën e tyre dhe të komuniteteve në tërësi.
 

Kryeministri Berisha u ndal në disa nga reformat themelore në forcimin e kapaciteteve dhe kompetencave të pushtetit lokal. Kryeministri theksoi se qeveria ka rritur 4 deri në 5 herë financimin për qeveritë vendore dhe është e gatshme të mbështesë me financime projektet e qeverisë vendore. Modeli i hartimit të projekteve nga qeveritë vendore, mbështetja me financime nga qeveria qendrore dhe zbatimi i tyre nga pushteti vendor, theksoi Kryeministri, funksionon në mënyrë të shkëlqyer.Gjithashtu, procesi i decentralizimit, tha Kryeministri, është një reformë kyçe për fuqizimin e pushtetit vendor, rritjen e autonomisë së tij, si një kusht themelor për demokracinë dhe konsolidimin e saj.

Kryeministri theksoi gjithashtu se është koha e një decentralizimi të thelle fiskal, për të cilën qeveria po shqyrton format më të mira.
Kryeministri i njohu ata me investimet e bëra në ndërtimin e infrastrukturës rrugore e dytësore dhe me programin ambicioz të ndërtimit dhe rindërtimit të një rrjeti të ri rrugor. Në këtë aspekt, Kryeministri vlerësoi rëndësinë jetike që kanë pasur qeveritë vendore për realizmin e këtij projekti. Kryeministri shprehu kënaqësinë që të pranishëm në këtë takim ndodheshin edhe përfaqësuesit e minoriteteve në Kosovë dhe vlerësoi kontributin që ata japin për komunitetet e tyre, por edhe vullnetin dhe vendosmërinë e bashkëjetesës për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Kryeministri shprehu besimin se ata do të gjejnë tek bashkitë e komunat në Shqipëri partnerë shumë të dobishëm.

Delegacioni i përbërë nga 32 vetë, anëtarë, kryetarë dhe nënkryetarë komunash. Kryetarët e kuvendeve komunale të 6 komunave po zhvillojnë një vizitë në Shqipëri në kuadër të një programi në fushën e qeverisjes lokale, nga Instituti për Qeverisje Lokale në Kosovë. Delegacioni kryesohej nga z. Besnik Tahiri, Drejtor Ekzekutiv i Institutit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›