E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takohet me presidentin Obama, e fton të vizitojë Shqipërinë


Kryeministri Berisha i ka konfirmuar presidentit Obama faktin se shqiptarët janë kombi më miqësor ndaj amerikanëve dhe se ata do të ishin të lumtur ta prisnin në vendin e tyre. Presidenti i SHBA-ve ka pranuar ftesën dhe ka përmendur marrëdhëniet e mira, që ai ka pasur me shqiptarët, kur në Senat përfaqësonte qytetarët e Çikagos.
Në axhendën e Nju-Jorkut, Berisha pati dje takime edhe me këshilltarin e SHBA për sigurinë si dhe kryeministrat e Japonisë dhe të Holandës

Kryeministri Sali Berisha fton për një vizitë zyrtare në vendin tonë, Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. Kryeministri Berisha ishte i ftuar në pritjen e dhënë nga presidenti amerikan Obama, në “Metropolitan Museum of Arts”, për të gjithë krerët e shteteve dhe të qeverive, të cilët marrin pjesë në sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Gjatë kësaj pritje, Kryeministri Berisha pati rastin të zhvillonte një takim të shkurtër dhe të përzemërt me Presidentin Obama dhe zonjën Obama.
Shefi i ekzekutivit shqiptar Berisha i shprehu Presidentit Obama kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në këtë pritje dhe për takimin e ngrohtë me Presidentin Obama. Nga ana e tij, Presidenti Obama e përshëndeti përzemërsisht Kryeministrin Berisha dhe u shpreh se në Çikago, ku ai kishte punuar për një kohë, kishte pasur rastin të takohej e të punonte me disa shqiptarë dhe kishte nga ta mbresat më të mira.
Kryeministri Berisha u shpreh se të gjithë shqiptarët presin me padurim dhe me shumë kënaqësi një vizitë të Presidentit Obama në Shqipëri, në çdo kohë të mundshme për axhendën e tij. “Ju, zoti President do të gjeni kombin më miqësor ndaj kombit amerikan, ndaj vendit tuaj dhe ndaj jush dhe unë shpresoj shumë që ju të vini në vendin tim”, u shpreh kryeministri Berisha.
Presidenti Obama tha se do të shikonte me shumë kënaqësi mundësinë e një vizite në Shqipëri. Edhe zonja Michel Obama gjithashtu u shpreh se ajo e priti me shumë kënaqësi këtë ftesë për të vizituar Shqipërinë dhe se nga ana e saj do të nxiste bashkëshortin e saj që ta bënte këtë.
Në këtë pritje të shtruar nga Presidenti Obama dhe që zgjati rreth 2 orë, kryeministri Berisha u takua sërish me kryeministrin e Japonisë, me të cilin diskutoi gjerësisht mbi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe e falënderoi atë për mbështetjen e Japonisë në fusha të ndryshme si ne arsim, në bujqësi, shëndetësi, infrastrukturë etj.
Kryeministri Berisha e ftoi atë të vizitonte Shqipërinë, ftesë që u pranua me kënaqësi.
Një takim të përzemërt Kryeministri Berisha pati gjatë darkës edhe më këshilltarin për Sigurinë Kombëtare në Presidencën Obama, Gjeneralin James Jones, me të cilin u diskutua mbi marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, si dhe mbi zhvillimet në Shqipëri. Kryeministri Berisha e ftoi Gjeneralin Jones të vizitojë Shqipërinë dhe ai e pranoi me kënaqësi ftesën.
Në këtë pritje, kryeministri u takua me Kryeministrin e Holandës Balkenende dhe diskutoi me të rreth reformave të ndërmarra për integrimin e vendit në BE, kërkoi mbështetjen e Holandës në këtë proces, duke shprehur bindjen e tij se ky proces duhet bazuar në meritat dhe performancës për çdo vend.
Kryeministri Berisha e ftoi atë të vizitojë Shqipërinë dhe Kryeministri Balkenende u shpreh se do të vizitojë vendin me një delegacion me përfaqësues të biznesit holandez.
Gjatë kësaj darke, Kryeministri Berisha u takua dhe bisedoi mbi Samitin e ardhshëm të Kopenhagenit me Kryeministrin e Danimarkës si dhe me Kryeministrin e Suedisë, me të cilin diskutoi gjerësisht mbi procesin e integrimit dhe heqjen e vizave për Shqipërinë, duke marrë mbështetjen e plotë të Kryeministrit Suedez në këtë drejtim. Një takim të ngrohtë, kryeministri Berisha zhvilloi edhe me Presidentin e Serbisë Boris Tadiç, me të cilin u ra dakord që me përpjekjet e përbashkëta të intensifikohen marrëdhëniet në të gjitha fushat dhe të ketë shkëmbim të vizitave të nivelit të lartë mes dy vendeve.
Në këtë pritje, Kryeministri pati rastin të takohet edhe me Presidentin e Zvicrës, me atë të Panamasë dhe me shume kryetarë shtetesh e qeverish të pranishëm.
Berisha takoi dhe kryeministrin kuvajtian Sheikun Nasser Mohammed al Ajmed al Sabah. Në këtë takim, te dy Kryeministrat ritheksuan vendosmërinë e dy qeverive për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat në veçanti në fushën ekonomike dhe në nxitjen e investitorëve kuvajtiane për të investuar ne Shqipëri në fusha si infrastrukturat e rëndësishme, energji, turizëm etj. Nga ana e tij, Kryeministri Nasser Mohammed al Ajmed al Sabah e siguroi kryeministrin Berisha për vendosmërinë e qeverise kuvajtiane për të nxitur investitorët kuvajtianë te investojnë ne Shqipëri ne fusha te rëndësishme si vepra të mëdha infrastrukturore, energjetike e turizëm etj.
Gjatë bisedës, të dy Kryeministrat u ndalën edhe në zhvillimet e fundit në rajon, në veçanti në çështjen e njohjes se pavarësisë se shtetit më të ri evropian, Republikës se Kosovës. Kryeministri Berisha i theksoi homologut al Sabah se njohja e shpejtë e Kosovës është dhe mbetet faktor thelbësor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe se çdo hap i ri në këtë drejtim do të shërbente si një kontribut i ri në forcimin këtij stabiliteti e sigurie në rajon.
Më tej, kryeministri Berisha u takua në New York me Presidentin kroat Stipe Mesiç.
Në këtë takim, të dy liderët shprehën vullnetin dhe angazhimin e tyre për forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kroacisë, që në stadin aktual janë të shkëlqyera. Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Mesiç me zhvillimet në Shqipëri dhe me ato pas zgjedhore, duke theksuar se zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mirat që vendi kishte bërë ndonjëherë dhe se ato shprehën plotësisht vullnetin e popullit shqiptar.
Presidenti Mesic përgëzoi Kryeministrin Berisha për zhvillimin me kaq maturi të zgjedhjeve dhe e uroi atë për rizgjedhjen.
Gjithashtu, kreu i qeverisë Berisha, pati një takim edhe me Emirin e Katarit Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani. Të dy liderët shprehën vendosmërinë dhe angazhimin e tyre për të çuar përpara bashkëpunimin dypalësh. Kryeministri Berisha shprehu interesin e Shqipërisë, veçanërisht për investime në fushën e shfrytëzimit dhe përpunimit të gazit të lëngshëm. Gjatë takimit, u diskutua edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ku Kryeministri Berisha u shpreh se shpresonte se edhe Katari do ta vlerësonte njohjen e Kosovës. Emiri Al Thani tha se ai vetë do të kishte një takim në New York me Delegacionin e Kosovës dhe do të diskutonte me ta gjerësisht për këtë. Ndërkohë, ai u shpreh se e gëzonte ecja e Kosovës në rrugën e modernizimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›