Topalli ironizon konferencën e PS: Pamë komedinë e rilindjes
Edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefian Topalli reagoi për propozimet e bëra gjatë konferencës Shqipëria e Gjeneratës tjetër të organizuar nga PS. Në rrjetin social Facebook, Topalli shkruan se ekspertët e huaj rrëzuan premtimet e bëra nga Rama gjatë fushatës elektorale. Dy ditët e fundit pamë serinë e dytë të parodisë të ujit të ftohtë. Kësaj radhe live.! Në ditën e parë, dëgjuam ide inovatore si: Fëmijët do rrëshqasin mbi piramidë, apo, se si në vilën e diktatorit do të flejnë artistë dhe legjislatorë inovatorë për të ndarë jo vetëm ide e frymëzime; Në ditën e dytë të seminarit, ekonomistët e mendimit botëror, siç i quajti vetë rilindasi, ftohën çdo premtim të Ramës të bërë në fushatë, përveç atyre për shëndetësinë falas dhe për legalizimet falas, sepse për këto nuk flitet më prej kohësh, shkruan Topalli. Më tej Topalli komenton edhe deklaratën e Ramës se pas tre muajsh vendi do përballet me mungesë energjie elektrike. Një personazh që i thotë vetes kryeministër edhe pse ende nuk është dekretuar nga Presidenti, edhe pse ende nuk është votuar në parlament, edhe pse ende nuk ka bërë betimin, jo për kryeministër por as për deputet, i premtoi shqiptarëve se pas 3 muajve nuk do keni drita, tamam si 20 vite më parë kur paraardhësi i tij i tha shqiptarëve se vetëm për 6 ditë ka bukë Ca burra e gra të tjera, vetëquhen ministra, por në fakt ato, jo vetëm nuk janë dekretuar për të tillë nga presidenti, jo vetëm nuk janë votuar në parlament për ministra, jo vetëm nuk kanë bërë betimin për një pozicion të tillë, por, atyre ende nuk i është bërë as verifikimi i mandatit për deputet. Dhe pa bërë këtë në fillim, dhe pastaj pa bërë betimin si deputet në parlament, sipas Kushtetutës, ato nuk mund të japin as dorëheqjen nga mandati i deputetit për të shpresuar për tu emëruar për ministër, nga ku fillon një tjetër proces kushtetues për tu bërë pastaj ministër, vijon më tej Topalli. Në përfundim kryetarja e Kuvendit shkruan se Shfaqja vazhdon Ne, tani kemi detyrën e shenjtë të bëjmë opozitë të fuqishme, të ngrihemi e të mbrojmë interesat e shqiptarëve nga këta donkishote, që kërkojnë të kthejnë të shkuarën, nga këto, që kërkojnë revansh!