Berisha-Ramës: Mos provoko shqiptarët për Enver Hoxhën
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri në detyrë, Sali Berisha u ndal gjatë tek konferenca Shqipëria e Gjeneratës tjetër të organizuar përgjatë dy ditëve nga Partia Socialiste. Kreu aktual i qeverisë u ndal veçanërisht tek propozimi i arkitektëve për monumentet e trashëguara nga komunizmi.
Deklarata
Duke iu referuar propozimit për ish-vilën e diktatorit, Enver Hoxha, Berisha tha se më këtë veprim Rama tregoi adhurimin e tij për diktatorin. Pjesa më tragjike ishte, ndonëse ajo për mua nuk ishte aspak çudi, pasioni dhe adhurimi i zotit Rama për Enver Hoxhën dhe trashëgiminë e tij. Për shqiptarët Enver Hoxha është një Hitler dhe unë i kërkoj të mos i provokojë, nuk është në interesin e tij të provokojë. Shqiptarët janë të gatshëm të reagojnë dhe në mënyrë më të fuqishme ndaj çdo provokimi që mund tu bësh me trashëgiminë e njeriut më gjakësor në historinë tyre, e njeriut që Europa në pranverën e 81, në një deklaratë shumë të rëndësishme e cilësoi Hitleri i pasluftës, tha Berisha. Më tej kryeministri në detyrë i kërkoi kryesocialistit që të mos provokojë shqiptarët me Enver Hoxhën pasi do përballet me zemërimin e tyre më të fuqishëm. Mos provoko shqiptarët për Enver Hoxhën se do të përballesh me zemërimin e tyre më të fuqishëm. Ai është një gjakësor që ka ekzekutuar me dhjete e mijëra shqiptarë për vlerat që ne kemi sot. Ai është një armik i egër i lirisë shqiptarëve kudo që ishin. Ai ishte një armik i egër i botës së lirë dhe vlerave të saj. Nuk mundet adhurimi patologjik që ke, që tua imponosh shqiptarëve, u shpreh kryeministri në detyrë, Sali Berisha.
Energjia
Duke iu referuar deklaratës së bërë nga Edi Rama për energjinë në konferencën Shqipëria e Gjeneratës tjetër, Berisha siguroi se vendi nuk do përballet me krizë energjia pasi të dhënat janë më premtuese se një vit më parë. Vetë piktori njoftoi shqiptarët se për tre muaj nuk do të ketë drita, çka do të thotë se kanë bërë gati skemën e ndërprerjes së energjisë. Unë i njoftoj shqiptarët se si sot kjo ditë krahasuar me vitin e kaluar, falë një qëndrimi dhe vullneti për një stabilitet në furnizimin me energji, ne lamë në diga 300 milionë kilovat/orë më shumë se çkemi pasur vitin e kaluar. Shifrat janë aty. Lamë rreth 7 metra lartësi më të madhe në digën e Fierzës. Qeveria, enti rregullator bënë gjithçka, deklaroi Sali Berisha.
Berisha: Nuk do të lejojmë prishjen e objekteve me leje
Kryeministri Berisha përsëriti edhe një herë se nuk do të lejojë prishjen e ndërtimeve me leje nga ana e qeverisë së re. Sipas Berishës Rama po kërkon që të vendos të gjithë territorin nën kontrollin e tij. Revanshi i tij është evident. Në këtë revansh ndaj territorit spikat deklarata e tij se do të prishë ndërtimet pa leje dhe ne përgëzojmë për çdo ndërtim që do të prishë, ndonëse ato janë atribute të qeverive vendore, por unë vetë personalisht kam parashikuar ngritjen e policive ndërtimore për prefekturat. Unë e përgëzoj zotin Rama nëse ai këtë pikë të programit tonë e përzgjedh për programin e tij dhe unë jam për zbatimin e ligjit dhe nuk mund të jetë kurrë jetim, por në qoftë se për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese Inspektorati u decentralizua, ne jemi të gatshëm të mbështesim një inspektorat, i cili konform rregullave të mund të imponojë zbatimin e plotë të ligjit në ndërtimet dhe objektet, tha Berisha. Kreu aktual i qeverisë se tha se do të kundërshtojë prishjen e objekteve që janë me leje. Ai thotë se do të prishë edhe ndërtimet me leje, akt i paprecedent. Shtëpitë me leje do të prishen sipas kriterit klasor, sipas urrejtjes që mbartin dyshja Rama-Kokëdhima. Ne mënyrë kategorike, absolute, kundërshtojmë dhe do të kundërshtojmë prekjen e çdo objekti të ndërtuar me leje. Qeveria mund të prishë çdo objekt, por kundrejt rregullave të caktuara të shpronësimit, të shtetëzimit dhe për motive të caktuara, deklaroi Berisha.
Berisha: Të publikohen kompanitë e naftës që vjedhin konsumatorët
Kryeministri Berisha u ndal gjatë mbledhjes së djeshme edhe tek lajmi i bërë publik në media ku ngrihej shqetësimi se disa prej pikave të karburanteve po abuzonin me blerësit. Kreu i qeverisë kërkoi nxjerrjen e një akti normativ që të nis hetimet për këtë çështje. Zoti Mima dëgjojmë në lajme kontrolli i cilësisë së karburanti ka nxjerrë në pah faktin se disa nga ato stacionet e karburantit i kanë cilësitë përtokë. Por popullit i thonë se ligji nuk na i lejon që ti bëjmë publike. Do të sjellësh me urgjencë, do ta dekretojmë një akt normativ, për të hequr këtë pengesë. Çdo qytetar le ta marrë vesh se kush i bën hile dhe kush nuk i bën hile. Kjo qenka shumë interesante. Ai merr dhe përzien naftën me naftë pusi dhe në do ti themi prit se e ruajmë ne sekretin. Jo, nuk do të ketë asnjë sekret. Megjithatë mua mu duk e çuditshme, por në se ekziston ndonjë pengesë ligjore do të bëhet një akt normativ sot për të hequr çdo pengesë ligjore. Le ta rrëzojnë ata po unë do të shfrytëzoj të drejtën kushtetuese për të mbrojtur interesin e qytetarëve. U ngritën me të madhe kundër shënimit të naftës, sigurisht sepse notonin në fuçi nafte vetë. Shënimi është interesi jetik i qytetarëve. Ky interes nuk është vetëm buxheti, por ky interes është shëndeti në radhë të parë sepse kemi bërë ligje shumë të mira për të ruajtur mjedisin nga ndotjet e gazrave, por duhet të kontrollojmë produktet, tha Berisha.
Berisha: Ekspertët thanë se programi ekonomik i PS e zhyt vendin në krizë
Kryeministri në detyrë ka komentuar edhe në rrjetin social Facebook konferencën e organizuar nga Partia Socialiste. Sipas Berishës ekspertët e huaj i thanë Ramës se programi ekonomik i PS-së e zhyt vendin në krizë. Ekspertët e huaj: Programi ekonomik i PS zhyt në krizë Shqipërinë. Piktori deklaron se vetëm tre muaj ka drita. Të dashur miq, dje në konferencën për ekonominë të PS, ekspertë të huaj të shquar vlerësuan unanimisht se: 1. Ekonomia e Shqipërisë nuk është në krizë sepse e mbrojtën reformat e qeverisë aktuale. 2. Objektiv kryesor i qeverisë së re duhet të jetë mbrojtja e ekonomisë nga kriza. 3. Programi i qeverisë së PS fut vendin në krizë ndaj dhe e hodhën poshtë atë. Në këtë drejtim ata konkluduan: 1. Shanset e ekipit të Piktorit për të dështuar janë 95% sepse ky ekip mohon çdo gjë. 2. Rritja e taksave është e gabuar ndaj nuk duhet të rriten taksat por duhet të rritet ekonomia. 3. Ulja e investimeve publike është e gabuar. Duhet rritja e tyre për tu mbrojtur nga kriza. 4. Jo tekstilet, siç pretendon z. Rama, por teknologjia e lartë zhvillojnë Shqipërinë. Piktori, pasi lajmëroi qytetarët se ka vetëm 3 muaj drita, zgjodhi tiu japë leksion të ftuarve me një retorikë ku padija fliste në çdo fjalë e në çdo fjali të tij. Ky është ndryshim! Me vrap drejt krizës, papunësisë, varfërisë dhe errësirës! Qytetarët nuk votuan për këtë. Jo dhe Jo. Ne duhet të jemi gati!, shkruan Berisha.