E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takon Presidentin e Asamblesë së KiE-së

Kryeministri Berisha, pasi bëri me dije prioritetet se ku do të fokusohet presidenca shqiptare, theksoi se Shqipëria e sheh këtë si përgjegjësi të lartë, të cilën ajo do ta përmbushë me sukses të plotë, në bashkëpunim të ngushtë me Asamblenë Parlamentare dhe vendet anëtare.

Kryeministri Berisha e ftoi zotin Mignon në Shqipëri, për të marrë pjesë në kremtimet për 100 vjetorin e pavarësisë. Mignon u shpreh se Shqipëria është si të gjitha vendet e tjera të Këshillit të Evropës.“Janë vende që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe fundit të diktaturave shfaqen një dëshirë të fortë të bëheshin anëtare të klubit të vendeve që mbahen si demokraci të mëdha. Besoj se i duhet dhënë pak kohë cilitdo vend, deri sa të bëhet demokraci e madhe, sepse kështu nuk bëhesh menjëherë, nga sot nesër. Edhe ne qe e quajmë veten demokraci të mëdha, a nuk na është dashur kohë? Prandaj për ne, në Këshillin e Evropës ka disa gjëra shumë të rëndësishme që janë modestia, toleranca dhe respekti. Besoj se duhet t’i pranojmë ndryshimet mes nesh, të pranojmë njëri-tjetrin, ashtu si jemi dhe t’i kalojmë njëri-tjetrit njohuritë që kemi”, tha ai.

Mignon tha se “Shqipëria është një vend që angazhohet të vazhdojë me cilësi atë që nisi gjatë kryesisë së shkuar një demokraci tjetër e madhe, siç është Mbretëria e Bashkuar. Jam i lumtur që Shqipëria sot ka rastin të vijojë linjat kryesore të programit të Britanisë”.

“Diskutuam me Kryetarin Mignon gjithë axhendën tonë, mbi të cilën do të punohet gjatë këtyre 6 muajve. Pata rastin të ftoj Kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të marre pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. E sigurova se për vendin tim, kryesia e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës është diamanti në kurorën e 100 vjetorit të pavarësisë sonë dhe shpresoj shumë që Jean-Claude Mignon të na bashkohet më 28 nëntor, për të festuar së bashku këtë ditë të madhe të popullit tonë”, tha nga ana e tij Berisha.  /Start/

                                                                                             2012-06-26 08:39
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›