Berisha takon drejtuesit e partisë së minoritetit grek, MEGA: Pazari Meta- Rama rrezikon votën tuaj
Tanimë dihet se një parti e minoritetit grek, MEGA, është rreshtuar në krahun e Partisë Demokratike për këto zgjedhje.
Kryetari i tyre, Kristo Kiço, ka takuar kryeministrin Sali Berisha, prej të cilit ka marrë premtimin se do të kenë përqindjen e tyre të komisionerëve, për të garantuar që vota e tyre të mos preket.
Berisha sulmoi edhe aleancën mes Metës dhe Ramës, duke thënë se ajo vuri në rrezik votën e minoritarëve.
Veçanërisht dua të theksoj se kjo parti merr një rëndësi të veçantë, në një kohë kur partia tradicionale, do ta quaja, e minoritetit u dëmtua në mënyrë të pariparueshme nga aleanca e pazareve, në rastin konkret. Aleancë, në të cilën, edhe para firmosje së saj, viktimë e parë ishte përfaqësuesi i votës së minoritarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Unë dua të informoj qytetarët se nuk kisha ndërmend të angazhohesha dhe të mobilizoja votën për shkarkimin tij. Sikur zoti Dule të kalonte në anën tjetër, ne do ta zëvendësonim një nga përfaqësuesit tanë, por jo përfaqësuesin e minoriteteve. Nuk ka gjë më pa moral në qëndrimin ndaj minoriteteve, që edhe atë përfaqësues të vetëm tia bësh plaçkë tregu. Minoritetet nuk kanë nevojë për pazare, por për standarde të lirive dhe të drejtave njerëzore. Kështu që unë e përgëzoj zotin Kiço dhe të gjithë udhëheqjen e M.E.G.A-s, për vendosmërinë e përkushtimin e tyre në mbrojtje të interesave, të të drejtave njerëzore, lirive të minoriteteve. E garantoj gjithashtu se në këtë proces do të kenë përqindjen e vet në komisionerë e në çdo gjë, për të garantuar numërimin e votave, pasi kurrë ndonjëherë vota e minoritarëve nuk ka qenë më në rrezik se në këtë periudhë, nga aleanca e pazareve. Edhe vota e tyre mund të tregtohet tani, po të mos ishte M.E.G.A, e cila do ta administrojë me përfaqësuesin më serioz të minoritetit, çdo votë që ata do të hedhin në kutinë e votimit për cilindo subjekt elektoral, me ndershmërinë më të madhe, tha Berisha./ep