E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egini, diplomati që refuzon Shqipërinë

eginNga Lindita Çela

Në prag të Krishtlindjeve të vitit 2012, rasti e solli të isha në të njëjtin avion me Neritan Cekën. Udhëtonte drejt Vjenës dhe në ato kohë që qëndruam, arkeologu, ndër të tjera, tha se halli e kishte çuar në këtë udhëtim të fundvitit.

I biri prej vitesh refuzonte të vinte në Shqipëri. Ky ishte rasti i parë që dëgjova për Eginin, djalin që në moshë të hershme nuk kishte bërë gjë tjetër veç punës si diplomatit në karrierë. Kur u ktheva në Tiranë, për të dëgjova më shumë. Ai, jo vetëm që ishte pjesë e listës së emërimeve nepotike të Ministrisë së Jashtme, por nëpër korridoret e këtij institucioni nuk ishin të pakta zërat që flisnin që aleanca e Cekës- asokohe kryetar i Partisë Aleanca Demokratike- me Berishën ishte e kushtëzuar nga emërimi i djalit të tij si diplomat.

Incidenti në Vjenë

Gazeta e Partisë Demokratike  i kishte kushtuar një faqe të tër렠 të ashtuquajturit skandal të Edi Ramës në Vjenë.

Sipas kësaj të përditshme, Rama kishte dhunuar diplomatin Ceka  gjatë një takimi zyrtar.

E ndërsa në mëngjes gazeta e trajtonte ngjarjen si skandal, në mesditë kryeministri Berisha urdhëroi ngritjen e një komisioni parlamentar për hetimi e çështjes.

Por burime të besueshme nga Vjena i thanë TemA-as se ngjarja në Akademinë Diplomatike të Vjenës nuk është se ka krijuar konfuzion, por menjëherë Ceka, i riu, nëpërmjet një letre të klasifikuar si konfidenciale, ka vënë në dijeni për ngjarjen ministrin Aldo Bumçi dhe Sekretarin  e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme.

Në letër, Egini shkruan se është kapur për veshi nga Edi Rama pasi ai ka protestuar ndaj fjalëve që kryetari i Partisë Socialiste ka mbajtur në një takim të zhvilluar në Akademinë Diplomatike të Vjenës.

Kështu ka zënë fill gjithë historia, për të cilën gjatë të enjtes është folur për orë të tëra në Kuvendin e Shqipërisë dhe kryeministri Berisha ka kërkuar ngritjen e një grupi parlamentar hetimi.

Egin Ceka, duke raportuar ngjarjen, ka bërë shërbimin e duhur qeverisë, që jo vetëm e ka emëruar në kundërshtim me gjitha ligjet në fuqi, por dhe nuk e ka pezulluar nga detyra atëherë kur ai refuzoi të lëshojë misionin e diplomatit.

Pikërisht për shkak se ai nuk pranonte të kthehej në Shqipëri, siç e parashikon ligji për shërbimin diplomatik, Ministria e Jashtme u detyruar ti gjente një vend tjetër pune, po në Austri.

Ceka junior u transferua në një përfaqësi tjetër diplomatike, po në Vjenë, në atë të UNOV.OSBE-së, duke ndërruar thjesht selinë nga rruga Prinz Eugen, ku shërbeu prej tetorit 2009, në atë Reisner në kryeqytetin austriak.

Emërimi i Eginit nuk ishte rasti i vetëm i emërimeve skandalozë që Ministria e Jashtme, nën drejtimin e Sali Berishës, ka bërë që nga vitit 2005 deri më sot.

Nëpërmjet një VKM-je Sali Berisha i hapi rrugë të gjitha emërimeve nepotike dhe skandaloze në diplomacinë shqiptare. Në VKM nr. 767, të datës 06.12.2005, ndryshohet pika 81 e rregullores, në bazë të së cilës janë bërë të gjitha emërimet e njerëzve që kanë lidhje të ngushta me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare.

Ministria e Punëve të Jashtme, për nevoja të institucionit, brenda dhe jashtë vendit, mund të marrë punonjës për të shërbyer në shërbimin e jashtëm për aq kohë sa vlerësohet e nevojshme. Këta punonjës gëzojnë statusin e diplomatit për aq kohë sa janë në shërbimin e jashtëm, por nuk përfitojnë grada diplomatike. Ata paguhen në bazë të detyrës, për të cilën janë emëruar, thuhet në VKM e vitit 2005, në bazë të të cilit janë emëruar si diplomatë dhëndri dhe vëllai i kryeparlamentares Jozefina Topalli, kushëriri i ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, daja i dhëndrit të kryeministrit Sali Berisha, apo dhe të afërm të tjerë të drejtuesve të shtetit shqiptar.

Kështu me një VKM, Berisha i hapi rrugën, krijimit të asaj race diplomatësh, që përveçse paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, janë të aftë të bëjnë sherrxhiun, siç edhe bëri në Akademinë Diplomatike të Vjenës, i riu Ceka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›