Berisha takon ministrin malazez të Ekonomisë, Branko Vujoviç
kryeministri Berisha dhe ministri malazez i ekonomisë u angazhuan për përpjekje edhe më të mëdha për të krijuar hapësira të reja bashkëpunimi me ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta, si autostrada Shkodër-Podgoricë dhe Shëngjin-Ulqin, me përfitim jo vetëm ekonomik, por edhe turistik. Një nismë tjetër që do të ndërmerret nga të dyja vendet për të rritur mundësitë turistike të tyre është thellimi i lumit Buna, për ta shndërruar atë në një lumë të lundrueshëm dhe të përdorur nga turistët. Gjithashtu, ata konstatuan se po përfundon linja e interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë, si dhe do të kërkohet bashkëpunimi për një tjetër projekt të rëndësishëm, atë të hekurudhës midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, me kontroll të përbashkët. Dy vendet do të diskutojnë edhe për një marrëveshje të re për ujërat. Një tjetër fushë bashkëpunimi e evidentuar në takim ishte ajo mes akademikëve të të dy vendeve për biodiversitetin e lumit Buna. Gjatë bashkëbisedimit, Berisha tha se ndjek zhvillimet pozitive të Malit të Zi, pasi ai është një vend i rëndësishëm në Ballkan. Kryeministri i shprehu ministrit Vujoviç mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe e përgëzoi atë për arritjet politike dhe arsimore të shqiptarëve në Malin e Zi.