E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli në Shkodër: Plan për mbrojtjen e zonave nga përmbytjet

Krahas ndërhyrjeve të emergjencës ministria e Bujqësisë po harton një plan të integruar për zhvillimin dhe mbrojtjen e zonave të përmbytura në Shkodër. Ministri i Bujqësisë Genc Ruli i shoqëruar nga deputeti i zonës Gjokë Uldedaj, pas një inspektimi në Komunën Bushat kanë diskutuar për ndërhyrjet e nevojshme edhe në Qarkun e Shkodrës.

"Një ndërhyrje të plotë për të rehabilituar gjithcka nga ato që u konstatuan gjatë kësaj përmbytjeje, që u dëmtuan. Janë dhjetëra miliona dollarë dhe janë të pamundura për tu realizuar brenda këtij viti, po ne sidoqoftë ndërhyrjen më të shpejtë do e bëjmë për të shmangur ato dëmtime që rrezikojnë standardin e sotëm të mbrojtjes, qoftë nga argjinaturat, nga pritat, hidrovoret, apo kanalet", tha Genc Ruli, ministri i Bujqësisë.

"Gërshetimi i bujqësisë me turizmin dhe me sektorë të tjerë është një domosdoshmëri e kohës, janë sfida, janë programe të qeverisë së Partisë Demokratike për ta parë bujqësinë në këto katër vite si një sektor prioritar", u shpreh Gjokë Uldedaj, deputet i PD në Shkodër.

Drejtuesit lokalë raportuan se grupet e vlerësimit pothuaj e kanë përfunduar punën në të gjithë familjet dhe brenda javës përfundon hartimi i dosjeve për dëmshpërblimin e banorëve që e pësuan nga përmbytja e fillimit të janarit. Zoti Ruli ka garantuar se zona e tyre edhe për shkak të përmbytjeve do të jetë një prioritet.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›