E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon në Mynih sekretaren amerikane, Hillary Clinton, e fton të vizitojë Shqipërinë

05-02-2012 / Gazeta 55

Kryeministri ndjek punimet e ditës së dytë të Konferencës së Sigurisë në Mynih, takohet me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton si dhe me sekretarin e mbrojtjes, Leon Paneta

Kryeministri Sali Berisha ndoqi dje, punimet e ditës së dytë të Konferencës së 48-të të Sigurisë,
në Mynih, ku, në sesione të veçanta të saj u diskutua mbi çështje të rëndësishme aktuale të sigurisë dhe sfidave të saj në të ardhmen si ndërtimi i një komuniteti të sigurisë euroatlantike; Amerika, Europa dhe Ngritja e Azisë; kriza financiare dhe konsekuencat e saj për sigurinë ndërkombëtare; mbrojtja Smart, BE dhe e ardhmja e Aleancës Transatlantike. Në panele të ndryshme, pjesëmarrësve iu drejtuan me një fjalë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton, Sekretari Amerikan i
Mbrojtjes Leon Panetta, Zëvendëspresidentja e Komisionit dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së
Catherine Ashton, Kryeministri italian Mario Monti etj. Gjatë zhvillimit të Konferencës, Kryeministri Berisha pati takime të shkurtra me Sekretaren amerikane të Shtetit, zonjën Hillary Clinton, Sekretarin e Mbrojtjes Leon Paneta dhe personalitete të tjera pjesëmarrëse. Në përfundim të saj, Kryeministri Berisha u prononcua për mediat mbi çështjet, në të cilat u
përqendruan diskutimet e ditës së dytë të Konferencës. Për kryeministrin Berisha, të
rëndësishme kanë qenë takimet e shkurta me personalitetet pjesëmarrëse në konferencë, ku ka promovuar potencialet turistike dhe ekonomike të Shqipërisë, veçanërisht mundësitë që ofron për investime në fushën e energjisë. “Konferenca kishte sot, ditën e saj kulmore. Për herë të parë,
tërësisht të pazakontë që nuk ka ndodhur në historinë prej më shumë se 4 dekadash të kësaj Konference, në seancën e mëngjesit iu adresua pjesëmarrësve Sekretarja e Departamentit të Shtetit Hillary Clinton dhe Sekretari i Mbrojtjes Leon Paneta. Si rregull, në Konferencën
e Sigurisë së Mynihut kanë marrë pjesë ose Sekretari i Mbrojtjes ose Sekretari i Departamentit
të Shtetit. Në këtë kontekst, mund të them se pesha e Konferencës ishte shumë madhe dhe kjo ishte arsyeja që dy personalitet kryesore të qeverisë së Shteteve të Bashkuara iu adresuan kësaj Konference, për të paraqitur edhe strategjinë e Shteteve të Bashkuara, vendosmërinë e tyre për
të konsideruar Europën si një përparësi dhe natyrisht, zhvendosjen drejt Azisë e Pacifikut, si rajone të cilat meritojnë tani vëmendjen më të madhe, për shkak të ndryshimeve shumë të mëdha që kanë ndodhur këto dy dekada në gjeopolitikën e gjeostrategjinë e botës. Pata rastin t’i takoj shkurtimisht të dy dhe t’i ftoj për të ardhur në Shqipëri, ftesë që e pranuan me kënaqësi”, u shpreh kryeministri. Berisha komentoi më tej se “gjatë seancave të tjera u diskutua shumë mbi marrëdhëniet ose raportet e reja në botë, Europë, SHBA dhe Azi, u diskutua gjerësisht për krizën, ku një ekspoze të shkëlqyer bëri këtu, Kryeministri i Italisë Mario Monti, aspektet e
saj në Europë e në botë, rrugët e kapërcimit të kësaj krize. Gjatë qëndrimit në seanca dhe jashtë tyre në Konferencë pata rastin të takoj e të shkëmbej mendime, të diskutoj me personalitete të shumtë që ishin të pranishëm. Një takim të përzemërt pata me senatorin McCain, senatorin Liberman, parlamentarë europianë, ministra të Jashtëm e të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s. Një ekspoze me shumë interes paraqiti Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmussen,
mbi të ashtuquajturin ‘Smart Difence’- Mbrojtja e mençur, e cila përbën një koncept të ri të
përshtatjes së Aleancës, në kushtet e kësaj krize dhe këtyre ndryshimeve që kanë ndodhur në botë”, vlerësoi më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›