Mynih, Berisha takim të shkurtër me Klinton
TIRANË Në ditën e dytë të punimeve, Konferenca e 48-të e Sigurisë, në Mynih, trajtoi çështje të rëndësishme aktuale të sigurisë dhe sfidave të saj në të ardhmen, si ndërtimi i një komuniteti të sigurisë euroatlantike; Amerika, Europa dhe Ngritja e Azisë; kriza financiare dhe konsekuencat e saj për sigurinë ndërkombëtare; mbrojtja Smart, BE dhe e ardhmja e Aleancës Transatlantike. Në punimet e kësaj konference po merr pjesë edhe kryeministri Sali Berisha, ku, sipas njoftimit të Kryeministrisë, ai pati takime të shkurtra me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton; sekretarin e Mbrojtjes, Leon Paneta, dhe personalitete të tjera pjesëmarrëse. Konferenca kishte sot ditën e saj kulmore. Për herë të parë, tërësisht të pazakontë që nuk ka ndodhur në historinë prej më shumë se 4 dekadash të kësaj konference, në seancën e mëngjesit iu adresua pjesëmarrësve sekretarja e Departamentit të Shtetit, Hillary Clinton, dhe sekretari i Mbrojtjes, Leon Paneta. Si rregull, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut kanë marrë pjesë ose sekretari i Mbrojtjes ose sekretari i Departamentit të Shtetit. Në këtë kontekst, mund të them se pesha e Konferencës ishte shumë madhe dhe kjo ishte arsyeja që dy personalitet kryesore të qeverisë së Shteteve të Bashkuara iu adresuan kësaj Konference, për të paraqitur edhe strategjinë e Shteteve të Bashkuara, vendosmërinë e tyre për të konsideruar Europën si një përparësi dhe natyrisht, zhvendosjen drejt Azisë e Pacifikut, si rajone të cilat meritojnë tani vëmendjen më të madhe, për shkak të ndryshimeve shumë të mëdha që kanë ndodhur këto dy dekada në gjeopolitikën e gjeostrategjinë e botës. Pata rastin t’i takoj shkurtimisht të dy dhe ti ftoj për të ardhur në Shqipëri, ftesë që e pranuan me kënaqësi, – tha dje Berisha pas konferencës. Po dje, Berisha zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm të Republikës së Turqisë, Ahmet Dovutoglu. Ai theksoi se investimet dhe bizneset turke që përfshijnë çdo fushë të ekonomisë, përfshirë sistemin bankar, telekomunikacionin dhe metalurgjinë, renditen ndër më të mëdhatë e më të suksesshmet në Shqipëri. Me fokus të veçantë për zhvillim më të madh, Kryeministri e vuri theksin te bashkëpunimi dhe investimet turke në turizëm, duke theksuar se Shqipëria mund të përfitojë nga eksperienca turke në këtë sektor. Ministri i Jashtëm, Dovutoglu, u angazhua që të tërheqë vëmendjen e strukturave përkatëse dhe investitorëve turq në këtë drejtim. Një tjetër takim, kreu i ekzekutivit pati edhe me zëvendësministrin e Jashtëm të Izraelit, Daniel Ayalon. Theks i veçantë gjatë takimit iu vu thellimit të marrëdhënieve ekonomike mes të dy vendeve. Kryeministri Berisha ritheksoi fushat me interes dypalësh, ku investitorët izraelitë janë të mirëpritur, si energjia e rinovueshme, bujqësia, turizmi, shkenca etj.