Berisha takon në Romë kryeministrin Monti si dhe homologët e Spanjës, Irlandës, Hungarisë dhe Greqisë
Në kuadër të punimeve dyditore të Internacionales së Demokratëve të Qendrës, kryeministri Berisha ka mbajtur fjalën e vet në seancën e parë. Kryeministri italian Monti ka pritur kryetarët e qeverive dhe ka shtruar një drekë, ndërkohë që sot, shefat e delegacioneve do t’i presë në një audiencë të veçantë, Ati i Shenjtë, Benedikti XVI
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha i ka shprehur dje homologëve të tij, pjesëmarrës në Internacionalen e Demokratëve të Qendrës që po zhvillohet në kryeqytetin e Italisë, Romë, se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një proces i bazuar tërësisht në meritë. Kreu i qeverisë në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Internacionalen e Demokratëve të Qendrës që po zhvillohet në kryeqytetin e Italisë, Romë, me ftesë të kryeministrit italian Mario Monti mori pjesë në një drekë të shtruar në ambientet e Vila Pamphili për nder të kryeministrave të Shqipërisë, Spanjës, Irlandës, Hungarisë dhe Greqisë, të cilët marrin pjesë në punimet e Internacionales.
Dreka u parapri nga një takim i kryeministrave, ku mori pjesë dhe Presidenti i Internacionales së Demokratëve të Qendrës dhe njëherësh organizatori i këtij aktiviteti zoti Pierferdinando Casini.
Kryeministri Berisha bisedoi me homologët e tij dhe ndau mendime në lidhje me zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri, krizën ekonomike në Evropë dhe rrugët e daljes prej saj.
Kryeministri informoi bashkëbiseduesit në lidhje me reformat e ndërmarra nga qeveria e tij në fushën politike, ekonomike e sociale duke theksuar përpjekjet për përmbushjen e detyrimeve të lëna nga Komisioni Evropian në kuadër të marrjes së statusit të vendit anëtar në BE.
Gjatë drekës dhe bisedave të zhvilluara kryeministri Berisha i siguroi homologët e tij për vullnetin e palëkundur dhe angazhimin e plotë të tij dhe të qeverisë për të përmbushur të gjitha prioritetet e vëna nga Bashkimi Evropian dhe duke nënvizuar se ky integrim duhet të jetë i bazuar në meritë, përmbushja e këtyre prioriteteve është rruga më e mirë për konsolidimin e demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut, tregut dhe prosperitetit ekonomik të Shqipërisë. Ndërkaq, sot kryeministri Berisha do të marrë pjesë në audiencën private që Shenjtëria e Tij Papa Benedikti i XVI do të japë për të ftuarit e Internacionales së Demokratëve të Qendrës.