Mjerim të fantazosh në demokraci për fitore në tavolinë
Është mjerim të fantazosh në demokrací për fitore në tavolínë! Por, për dështakët, një gjë e tillë, është nevojë shpirtërore. Edhe një proverb italian thotë: “Ndonjëherë, të ëndërrosh, bën mirë”. Kurse drejtuesit e PS-së janë zhytur në paradokse, aq sa dhe ëndërrojnë sikur gdhihen e ngrysen kryeministra. Dhe këto iluzione u krijohen nga taktika e “kushteve” dhe akuzave false ndaj dështimeve imagjinare të kundërshtarit. Se, ndërkohë që njerëzit presin prej tyre alternativa të reja, Rama sheh ëndërr sikur do të bëhet kryeministër duke mbajtur peng votat e deputetëve të tij për të votuar ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Pra, kur njerëzit presin të dëgjojnë premtime konkrete zhvillimi, Rama vazhdon të ngrejë akuza absurde dështimesh katastrofike ndaj kundërshtarit. Dhe të duket sikur ky mjeran pret e shpreson që kundërshtari të gabojë, në mënyrë që t’i bjerë këtij ndonjë “kockë” nga sqepi, të cilën ta rrëmbejë Rama me miliardero - neobllokmenët e uritur për pushtet absolut. Të jetë, vallë, ky ëndërrim një lloj taktike e qëllimshme? Sepse njerëzit dinë që vetëm diktatorët e kanë metodë pune “sugjestionimin” e miletit me iluzione fitorjesh imagjinare. Enver Hoxha p.sh. as që mund ta mendonte veten të humbur. Ai deklaronte fitore, madje edhe kundër një koalicioni armiqsh, imperialisto - revizionist! Këto gjëra m’u kujtuan duke dëgjuar një intervistë televizive të Ramës mbi fitoren e tij në 2013-ën. Duke më tërhequr tema, durova të dëgjoj edhe ca broçkulla mbi taksat dhe tatimet, mbi bizneset e vogla e të mëdha, mbi të pasurit e të varfërit dhe m’u kujtuan teoritë e “mjerimit kolektiv”, apo të “barazisë në skamje”, nga të cilat gjithkuj duhet t’i ketë dhembur koka. Megjithatë, ndërsa prita të dëgjoja prioritetet e asaj politike të re, a të alternativës çudibërëse të “rilindjes”, dëgjova vetëm sharje, shpifje e mallkime ndaj mazhorancës aktuale. Mendova se kjo do të ishte një hyrje për të dalë në “dritën” e një programi madhështor, që do të shpalosej me ndonjë fjalë patetike. Por, mjerisht, dëgjova vetëm këngën monotone të qyqes, që vajtonte fundin e saj, duke u ankuar për sukseset e kundërshtarit. Sepse, gjatë tërë intervistës Rama nuk tha një fjalë të vetme të mirë për sukseset e dukshme të mazhorancës, nuk u pendua për ndonjërën nga gafat e tij të shumta politike, nuk deklaroi ndonjë perspektivë bindëse, sidomos prej programit të një partíe, që ka dalë me slogane për ripërtëritje historike të Shqipërisë! Dhe, ndërsa dëgjoja akuza absurde për mjerim total, korrupsion galopant, për kriza fatale dhe dështim të pandreqshëm, m’u duk sikur Rama vinte nga ndonjë planet tjetër dhe përfytyronte një Shqipërí të rrënuar, e cila duhet të pranojë në krye cilindo drejtues të paaftë, vetëm që ta nxjerrë Shqipërínë nga ajo prapambetje e frikshme! Taktikë e vjetër në rrethana të reja! A nuk u mburr Enver Hoxha me bujë 50 vjet për lumturí dhe mirëqenie, kur populli nuk kishte bukë të hante, A nuk shpifi ai për mjerime të frikshme në botën e qytetëruar? Se kulmi ishte kur Rama, si “ideator” i montazhit të akuzave, foli edhe për rrugët që do të ndërtonte, kur të bëhej kryeministër. Dhe, kur gazetarja iu drejtua me ndonjë aludim për humbje të mundshme, “reformatori” ëndërrimtar buzëqeshi me naivitetin e saj dhe deklaroi me “modestinë” e një mendjemadhi se ai, për t’u bërë kryeministër, nuk kishte nevojë as të mendonte për ndonjë projekt, apo premtim konkret elektoral, apo qoftë edhe për ndonjë platformë, pasi “korrupsioni galopant” dhe “krizat skandaloze” të kundërshtarit ia kishin hapur atij rrugën, bile, ia kishin shtruar qilimat e kuq, pra, ia kishin garantuar me kohë fitoren e tij. Pa le ato “kushtet” e tij, të cilat qënkeshin çelësi magjik, garancia mbi garancitë! Mirëpo, duke menduar se ky “liberal”, që deklaron se nuk është politikan, por vetëm një “reformator” i madh, u përpoqa të lexoja midis “rreshtave” të fjalës së tij. Dhe dallova trishtim të thellë, një pikëllim të hidhur të një humbjeje fatale, të cilën oratori e ndiente deri në kockë. Ndoshta prandaj dhe gazetarja, e habitur me deklarimin e tij për një fitore të tillë, të pabazuar në ndonjë premtim konkret, a ndryshim të dukshëm, vijoi me pyetjet rutinë, përgjigjja e të cilave u thosh shqiptarëve se Rama do t’i binte edhe në të ardhmen “fyellit” me një vrimë”. Por, këtë taktikë të vjetër ia nxori sheshit megalomania e tij e papërmbajtshme me atë deklarimin pompoz se gjoja fitorja e tij ishte aq e sigurtë, sa PS-ja nuk kishte nevojë për asnjë “ndryshim”, sepse të gjitha gomarllëqet e saj qenkëshin “maja” e një politike “liberale”, që do ta “rilindëte” Shqipërínë, duke e shpurë në epokën e gënjeshtrave me bisht, e premtimeve tallëse dhe sukseseve imagjinare, të epokës së “Qoftëlargut”, e tj. Shkurt, në atë epokën e “fenerit ndriçues”, apo të “shkëmbit granit në brigjet e Adriatikut”. Apo, fundi, në atë “mirëqenien” fiktive, lumturínë e lakmueshme të urisë kronike dhe të modernizimit me bunkerë. Së fundmi, në epokën e atyre lyerjeve me bojë të pallateve të vjetra! Megjithatë, në fund të intervistës, askush nuk mund të mos nxirrte përfundimin se njeriut të dështuar, ndoshta i bën mirë ëndërrimi, qoftë edhe për një fitore imagjinare. Kurse elektorati që pret një alternativë ndryshe, me sigurí ka thënë me veten: “Të gjorin Ramë nuk e lënë këmborët e tij, kurse ne presim që ai të dëgjojë zilet tona”. Se Rama vërtet ka halle të mëdha brenda partisë së vet ! Se nuk i thonë shaka të komandohesh nga miliarderë, që të thyejë kokën me pará të pista dhe nga neobllokmenë, që e mendojnë veten ende që janë vërtet “Perëndí”! Ndërkohë Rama vazhdonte të shante pa kandar mazhorancën.