E Diel, 1 Nëntor 2026

Prençi: Ska aksidente në Bulqizë, janë vrasje me dashje. Agron Kuliçi kontrollon minierën

Share

Ish- drejtori i Policisë së Dibrës hedh akuza të rënda: Tropojanët kanë pushtuar ministrinë. Astrit Halilaj i SHKB kontrollon rrjetin e falsifikimeve. Nishani, i implikuar me ish- shokun e tij të shkollës në shpellat e kromit. Prençi: Avenir Peka më kërcënoi se do të më zhdukë. Prençi: Më 21 janar plumbat e Gardës rrezikuan edhe forcat speciale

Ish- drejtori i Policisë së Qarkut të Dibrës, Shemsi Prençi, duke folur për Vizion Plus në emisionin Debat, ka lëshuar akuza të forta. Ai e ka përshkruar zonën minerare të Bulqizës si një vend nuk ku ekziston asnjëfarë ligji, njësoj si Perëndimi i Egër.

Jam një djalë minatori që babai më ka vdekur nga silikoza. Kam mallkuar në gjunjë ata që shfrytëzojnë punën e minatorëve të vdekur dhe fëmijëve të tyre, tha Prençi, i emocionuar. Ai tha se në Bulqizë nuk ka aksidente, por vrasje me dashje.

Janë të pasiguruar, futen në punë pa siguri, i fusin në punë pa i instruktuar për punë. I kemi referuar në prokurori ngjarjet. Ndërkohë që strukturat e shtetit kanë pezulluar punën, këta grupe mafioze kanë futur minatorët në galeri. Prandaj unë e quaj atë vrasje me dashje indirekte, tha Prençi.

Ai tha se vetë Bujar Nishani është i implikuar në këtë skandal mafioz. Ministri i Brendshëm ka marrë në mbrojtje ish-shokun e shkollës, pronarin e dy shpellave të krimit, unë nuk mund të mos them se kjo nuk është mafioze, tha Prençi.

Ai deklaroi se sapo erdhi në drejtorinë e Dibrës, menjëherë bëri një plan masash për të vendosur zbatimin e ligjit në Bulqizë.

Kishte plagosje e vrasje dhe askush nuk ishte marrë me personat në kërkim për këto ngjarje. Në momentin që vendosëm të vëmë në zbatim planin, hasëm në rezistencë të grupeve kriminale, me prapavijë grupet mediatike. Më mirë të themi një kompani mediatike me akses në minierën e Bulqizës, tha Prençi.

Vazhdoi presioni jo vetëm nëpërmjet mediave, por edhe nga strukturat drejtuese të policisë. Gjeta në zyrë mbi pesë gjashtë kallëzime nga ACR dhe disa subjekte që cenoheshin për shkak të vendosjes së koordinatave. Shfrytëzojnë edhe punën e fëmijëve të minatorëve të vrarë. Janë rreth dhjetë grupe kriminale, tha Prençi.

I pyetur për ndalimin e 14 kamionëve me krom, pas të cilit shpërtheu edhe sulmi mediatik ndaj tij, ai tha se sulmi u ndërmor fillimisht nga nëndrejtori i policisë, Agron Kuliçi. Brenda tre orëve ka dalë një plan kontrolli nga Kuliçi, që ka sjellë dy punonjës policie për të më kontrolluar mua. Ata me grada më të vogla do kontrollonin një drejtues të parë si unë.

Kuliçi e kontrollon dhe ka akses në minierën e Bulqëizës. Plani i kontrollit e implikon, tha Prençi.

Kamionat u bllokuan nga krimi ekonomik. Në fatura nuk kishte të pasqyruara të dhëna reale, tha Prençi, duke e akuzuar këtë firmë që e çonte kromin në Durrës, edhe pse vetëm 5 subjekte mund të depozitojnë në Durrës kromin.

I pyetur në lidhje me faktin se ishte pezulluar para se të jepte dorëheqjen, dmth më 23 prill, ai tha se nuk qëndron një pretendim i tillë për shkak se më 24 prill ai ishte në aksion për të shpëtuar shefin e komisariatit të Burrelit, që ishte marrë peng nga fshatarët për akte të turpshme. Vetë drejtoria në Tiranë e ka urdhëruar Prençin të shkojë të shpëtojë shefin e Burrelit.

Por Prençi ka hedhur akuza shumë të forta edhe ndaj shefit të Kontrollit të Brendshëm në Tiranë, Astrit Halilaj. Ai tha se Halilaj me tropojanë të tjerë e kanë marrë peng ministrinë e Brendshme. Prençi tha se Halilaj ishte shef krimesh në komisariatin e Rinasit, kur u filmua duke marrë paratë për falsifikime. Janë habitur kur është emëruar në krye të Kontrollit të Brendshëm në ministri kur PD erdhi në pushtet. E bëri këtë për të marrë nën kontroll të gjithë rrjetin e falsifikimeve të dokumenteve, tha Prençi.

Duke folur për incidentin e tij me zëvendësministrin e Brendshëm, Avenir Peka, që i pati kërkuar në fushatë të shkonte me forcat speciale për të shtypur një miting të opozitës, Prençi tha se Peka e kishte kërcënuar me jetë duke e sharë nga familja. Nuk reagova sepse kisha nënën në makinë, tha Prençi. Ai u shpreh se i kishte dërguar Pekës këtë mesazh: Uroj që të mbash fjalën për atë që më shave.

I pyetur për ngjarjen e 21 janarit, pasi ai drejtonte forcën lëvizëse operative, ai tha se nuk është thirrur nga prokuroria për tu pyetur për këtë ngjarje. Ai tha se forcat e tij speciale nuk kishin asnjë mjet për përballimin e turmave. Tre ditë përpara kemi blerë tymuese për një çmim që është turp të thuhet, tha Prençi. Ai foli për një mungesë bashkëpunimi atë ditë. Kam kërkuar të bashkëpunojmë për përdorimin e mjeteve lakrimogjene, por nuk jam dëgjuar. Kam kërkuar të përdoren me racionalitet. Do ishte më mirë të përdoreshin ato, sepse ato nuk sjellin pasoja për jetën. I kam menaxhuar forcat që të mos veprojnë në kundërshtim me ligjin. Forcat speciale janë strukur para kryeministrisë që të mos hanin plumba nga Garda. Forcat e mia nuk kanë pasur armë, sepse ua kemi hequr me urdhër, tha Prençi.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›