E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha thirrje Ramës: Vendos emrin në listë

Mes simpatizantëve të tij në qytetin e Vlorës, Berisha ka komentuar këngën e fushatës së Parisë Socialiste si të huazuar nga motivet serbe. Nga Vlora Berisha i bëri edhe njëherë thirrje Edi Ramës të vejë emrin në krye të listës së kandidatëve. 

VLORE- Berisha vazhdon të mbajë nën presion kreun e Partisë Socialiste Edi Rama me kërkesën e tij për tu vënë në listën e deputetëve. Kryeministri tha gjatë një takimi elektoral në Vlorë se Rama nuk duhet të ketë frikë nga gara dhe nëse nuk e bën këtë, atëherë duhet ti shpjegojë shqiptarëve se cili nga udhëheqësit politik të Europës nuk e ka vendosur veten në krye të kandidatëve për deputet.

“Vendose emrin në krye të listës së partisë tënde. Dil në shesh të burrave, mos bëj atë që nuk e ka bërë ndonjë lider partie i një vendi të lirë. Eja këtu dhe në këtë shesh dhe mburrju këtyre qytetarëve dhe thuaju se cili lider evropian nuk ka pranuar pavarësisht nga humbja që e pret të mos jetë në krye të listës”- tha Berisha.

Berisha ka komentuar nga Vlora dhe këngën “Çohu” të socialistëve, duke akuzuar Ramën se ka shfrytëzuar në këtë këngë një motiv të çetnikëve serbë.

Zoti Rama, atë himnin tënde, “çohu, çohu” e ke marrë nga internacionalja socialiste, apo këngë të çetnikëve serbë, këtë nuk e di.
Por unë të them këtu Shqipëria po ndryshon, Vlora po ndryshon, ne do vazhdojmë ndryshimin, rruga jonë është pa kthim”- tha kryeministri Berisha.

Në takim Berisha përmendi dhe rrugën Durrës- Kukës, e cila sipas tij do të kthejë portin e Vlorës në një nga qendrat më të rëndësishme të rajonit të Ballkanit, ku vetëm në këtë port sipas Berishës do të punësohen deri në 50 mijë qytetarë. Duke iu referuar investimeve të rëndësishme në fushën energjetike Berisha tha se jo vetëm Vlora por i gjithë vendi do të shndërrohet në superfuqi energjetike, me 170 hidrocentrale. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›