Rama: Mbështesim universitetet për planet në inteligjencën artificiale

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, universitetet duhet të kenë një fokus të veçantë tek inteligjenca artificiale dhe se qeveria do të mbështesë me fonde çdo plan të universiteteve në këtë drejtim.
Në fjalën e tij në Konferencën Kombëtare për Arsimin e Lartë ku u prezantua Dokumenti i Politikave të Arsimit të Lartë 2030, me vizionin për të përafruar standardet e arsimit të lartë shqiptar me ato të Bashkimit Evropian, Rama tha se, “një fokus i veçantë i duhet dhënë në të gjitha universitetet inteligjencës artificiale”.
“Është një domosdoshmëri, por është edhe një oportunitet i jashtëzakonshëm për një arsye shumë të thjeshtë, sepse nuk ka fare rëndësi, zero, se ku je, në cilën pikë të globit je, mjafton që të përputhen kushtet minimale që ti krijon, të dhënat që ti vë në dispozicion dhe një talent që mund të gjendet aty ndër 10, 15, 20, 30 të rinj që ti i vë në punë që të ndodhi diçka e jashtëzakonshme, që pastaj mund të përdoret jo vetëm nga ty, por nga gjithë bota”, tha.
Por, përtej botës, shtoi Rama, “besoj që çdo universitet duhet ta krijojë menjëherë atë laboratorin e vetë modest. Nuk ka rëndësi, nuk duhet asgjë e jashtëzakonshme në fazën e parë dhe çdo pedagog duhet të ketë mundësi që trokasë në derën e atij laboratori ku të jenë të ulur 5-6 të rinj që janë të përkushtuar ndaj kësaj fushe për të ndarë me ta çfarëdolloj ideje lidhur me si mund të vihet në shfrytëzim inteligjenca artificiale për atë fushë ose për atë temë, ose për atë subjekt që pedagogu ka. Dhe shumë gjëra të jashtëzakonshme mund të lindin nga kjo”.
Rama u shpreh se qeveria do të mbështesë me fonde çdo universitet që do të ketë një plan në lidhje me inteligjencën artificiale.
“Ne do të bëjmë çmos që këtë ta mbështesim edhe me fondet tona, pra çdo universiteti që do të ketë një plan në këtë drejtim. E përsëris, nuk ka nevojë për financime të jashtëzakonshme dhe për plane të jashtëzakonshme në fillim, ka nevojë vetëm për të kuptuar dhe për të vënë në lëvizje të dhënat. Sa më shumë të dhëna, aq më mirë dhe pastaj zhvillimet e mëtejshme tregojnë se çfarë do të sjellë përpunimi i atyre të dhënave”.
/r.e/a.f/